“Palët” dhe rreziku i mbivendosjes së pushteteve
Shoqata ka shprehur shqetësimin se Kryeministri po ushtron “presion” ndaj Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Kryeministri replikon se thjesht po shpreh opinionin e tij në një proces ku, sipas vetëdeklarimit të tij, është palë. Kjo është pika ku nis keqkuptimi dhe ku nis edhe devijimi.
Etika institucionale nuk matet me dëshirën për të folur, por me peshën e fjalës. Ajo kërkon maturi, qetësi dhe vetëpërmbajtje, sidomos kur bëhet fjalë për drejtësinë. Ndaj sot, më shumë se kurrë, nevojitet të rikujtohet kufiri që ndan të drejtën për të mbrojtur një pozicion dhe rrezikun për të ndikuar perceptimin e publikut për pavarësinë e gjykatave.
Por polemika nuk qëndron vetëm këtu. Kryeministri akuzoi Shoqatën e Gjyqtarëve se po përdor Gjykatën Kushtetuese si mekanizëm për rritje të përsëritura pagash, duke e konsideruar këtë si “rrëmbim kompetencash të ekzekutivit dhe legjislativit”. Ai solli në kujtesë një vendim “befasisht të turpshëm” dhe deklaroi se nuk do të heshtë më. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve nga ana tjetër, sheh rrezik në këtë lloj gjuhe, e cila mund të godasë perceptimin e publikut për qëndrueshmërinë e institucionit më të lartë kushtetues në vend. Ky nuk është më debat teknik është një debat që prek frymën kushtetuese.
Dhe pikërisht këtu qëndron çështja që shumëkush po e anashkalon: jo çdo subjekt që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese mund të vetëquhet “palë”. Kjo nuk është çështje opinioni është çështje Kushtetute. Kryeministri, si përfaqësues i pushtetit ekzekutiv, ka kompetencën t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çështje të veçanta, por kjo nuk e kthen dot në “palë”. Nuk i jep atributet e palës. Nuk e pajis me të drejtën për të interpretuar publikisht rolin e tij si të barabartë me atë të një subjekti procedural që kundërshton apo mbrohet. Dhe sigurisht, nuk e legjitimon të shfrytëzojë podiumet e mediave për të “qarë hallet” e një procesi që ende nuk ka marrë formë juridike.
Në këtë pikë, bëhet edhe më e pakuptueshme ngutja për të tërhequr vëmendjen publike mbi një çështje që është njëherësh teknike dhe filozofike: parimi i ndarjes së pushteteve. Po aq e pakuptueshme është prirja për të marrë atribute të gjyqtarit që ushtron “kontrollin incidental”, sikur gjykimi kushtetues të ishte debat publik e jo një proces ligjor strikt.
Le t’i themi gjërat hapur: Se për çfarë i duhen gjithë këto diskutime teorike e përralla mbi ndarjen e pushteteve pjesës dërrmuese të shqiptarëve – të cilët, për fat të keq, së fundmi po e marrin vesh se pushtetet qenkan të ndara e se nuk kemi një dorë të vetme që kontrollon gjithçka- këtë vetëm Zoti e di. Kërkesa e Kryeministrit drejtuar Gjykatës Kushtetuese, në kushte normale nuk do të ishte asgjë më shumë sesa një instrument qartësues. Dukshëm, nuk është ky rasti, sepse në narrativën e Kryeministrit, SPAK dhe Gjykata e Posaçme shfaqen si kundërshtarë të ekzekutivit, duke krijuar perceptimin e një “përplasjeje kompetencash” me ekzekutivin. Në këtë rast Kryeministri anashkalon dhe neglizhon një komponent shumë të rëndësishëm të parimit të ndarjes së pushteteve që ato në asnjë rast nuk mund të jenë në konflikt ndërmjet tyre.
Duke thirrur publikun për mbështetje, Kryeministri nuk i distancon pushtetet, por i afron në mënyrën më të rrezikshme të mundshme: duke krijuar iluzionin e mbivendosjes së tyre. Kjo është shumë, po shumë e rrezikshme pasi në jo pak raste ka çuar në ndryshim regjimesh dhe sistemesh dhe në rastin më të mirë në ndërvarësi të pushtetit gjyqësor, siç ishte rasti i Polonisë (për të cilën u nevojit ndërhyrja e GJED dhe GJEDNJ-s) si dhe ai i Izraelit (që është në një krizë ndërinstitucionale të vazhdueshme).
Prandaj, është më e mençur të flitet sa më pak për filozofi të së drejtës në një klimë ku publiku kërkon vetëm burgim dhe ndëshkim. Sepse pavarësia e gjyqësorit nuk mbrohet vetëm me dispozitat e Kushtetutës, por me qetësi, vetëpërmbajtje dhe respekt të kufijve që Kushtetuta ua cakton të gjithëve edhe Kryeministrit.