0

Prova në “pjatën e argjendtë” në optikën e Strasburgut: konvergjenca evropiane dhe standardi i gjykatës shqiptare

Artikulli i parë i këtij cikli identifikoi rrezikun e ofrimit të provës digjitale të huaj në “pjatë të argjendtë” dhe e mbështeti analizën te neni 32/2 i Kushtetutës. Pas çështjeve “Isha dhe Emmen kundër Norvegjisë”, komunikuar më 6 maj 2026, kjo qasje gjen tashmë një një kornizë krahasimi konkrete edhe pse ende të papërfunduar, në jurisprudencën e Strasburgut.

Vijim i analizës. 29 Maj 2026

Më 6 Maj 2026, Seksioni i Dytë i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut komunikoi pyetjet ndaj Qeverisë Norvegjeze në dy kërkesa të bashkuara: “Sefedin Isha kundër Norvegjisë” (nr. 7905/25) dhe “Bjorn Emmen kundër Norvegjisë” (nr. 9417/25). Aplikantët, të dënuar përkatësisht me njëzet dhe me dymbëdhjetë vjet burgim nga Gjykata e Apelit Borgarting për vepra penale në fushën e narkotikëve, janë ankuar për shkelje të nenit 6 § 1 të KEDNJ-së.

Nëse në aritikullin e parë e këtij cikli u artikulua doktrina e “pjatën e argjendtë”, e cila mbart rrezikun përfshirjes së provave të dorëzuara nga një juridiksion i huaj, pa një vlerësim thelbësor të kushteve rrethanore dhe procedurës për mbledhjen e saj, dykërkesat kundër Norvegjisë, përmendur më sipër e materializojnë këtë problematikë në kontekstin procedural dhe konvendor. Ajo cfarë e dallon këtë rast nga cështjet e tjera të paraqituara dhe shqyrtuara nga Gjykata e Strasburgut që në bërthamë kanë platformat të enkriptuara, veçanërisht nga cështja në “A.L. dhe E.J. kundër Francës” (tetor 2024) ku u vendos papranueshmëria e kërkesës, është se këtu Gjykata, për herë të parë në një procedim ku përdoren paralelisht prova nga platformat e enkriptuara EncroChat dhe Sky ECC, ka pranuar të shqyrtojë në themel pretendimet sipas nenit 6 të KEDNJ-së.

Faktet, siç i ka analizuar dhe prezantuar Gjykata e Apelit Borgarting në vendimin e 31 majit 2024, evidetojnë një element që meriton vëmendje të shtuar! As akuza, as mbrojtja nuk patën qasje në të dhënat burimore, në metodat teknike të mbledhjes, në manualet apo në tërësinë e veprimeve që kryen ekspertët francezë që realizuan dekriptimin. Por, pavarësisht kësaj mungese aksesi, Gjykata e Apelit dha dënimin përkatës mbështetur ndër të tjera edhe në analizën e Institutit Holandez të Shkencës Ligjore dhe në krahasimin indirekt me telefonat e sekuestruar. Me tej Komiteti i Përzgjedhjes së Apelimeve i Gjykatës së Lartë, duke refuzuar apelimin më 15 nëntor 2024, i qëndroj besnik tezës se: vetëm në rrethana të jashtëzakonshme do të lejonin gjykatat norvegjeze të vlerësonin përputhshmërinë e mbledhjes së provave me të drejtën franceze. Një qëndrim kategorik, larg parimit të besimit reciprok apo atij të mbështetjes së bashkëpunimit ndërkombëtar, i cili përjashton kontrollin substancial mbi provën, qé në fakt përbën edhe thelbin e analizës në nivel teorik.

Pyetjet që GJEDNJ-ja ju ka drejtuar palëve, konkretizojnë në tetë pika, ku më e rëndësishmja prej tyre është pyetja nëse Norvegjia mori nga Franca grupet e plota të komunikimeve që lidhen me llogaritë e aplikantëve, apo vetëm fragmente. Kjo ngre një problem mbi verifikueshmërinë e provës, e cila nuk mbrohet nga garancitë procedurale tradicionale.

Avokati mbrojtës nuk mund të kërkojë atë që nuk e di se ekziston pasi parimi i barazisë së armëve, i kuptuar formalisht, presupozon që të dyja palët dinë çfarë ndodhet në inventarin e provave. Kur njëra palë kontrollon e vetme këtë material, qoftë edhe pa qëllim keqdashës, barazia e armëve mbetet vetëm formale. Pyetjet e GJENDJ-së referojnë shprehimisht paragrafët 302-303, 310-313, 315-323, 327 dhe 329 të vendimit “Yüksel Yalçınkaya kundër Turqisë” (Dhoma e Madhe, 26 shtator 2023), pikërisht paragrafët ku Gjykata ndërtoi testin për vlerësimin e provës digjitale masive të një rrjeti të enkriptuar.

Vlera e këtij komunikimi të bërë nga GJEDNJ del në pah kur lexohet jo si ngjarje e izoluar, por në një kontekst më të gjerë jurisprudencial. Brenda gjashtë muajve, GJEDNJ ka komunikuar tri çështje që ngrenë, nga këndvështrime të ndryshme, të njëjtin problem: “Silgir kundër Gjermanisë” (nëntor 2025), vijim i çështjes së parë mbi nenet 5 dhe 8, që këtë herë adreson nenin 6 të KEDNJ-së në kontekstin EncroChat; “Raal dhe Reudolph kundër Estonisë” (komunikuar më 12 shkurt 2026), që transmeton të njëjtën problematikë por me platformën ANOM dhe modalitetin e bashkëpunimit transatlantik; dhe tashmë çështjet norvegjeze. Të tria referojnë të njëjtët paragrafë të “Yalçınkaya”-s. Kjo konvergjencë e referencave dëshmon se Gjykata po formëson, çështje pas çështjeje, një lexim të dedikuar të nenit 6 për provën digjitale të huaj, ku standardi i provës elektronike masive të ByLock-ut po shndërrohet në një standard referues për çështje të ngjashme.

Brenda kësaj panorame, rasti norvegjez ruan një specifikë që e veçon. Është i vetmi ku të dyja platformat, EncroChat dhe Sky ECC, janë përdorur në të njëjtin procedim, përmes dy modaliteteve bashkëpunimi qartësisht të ndryshme: një qasje pothuajse në kohë reale nëpërmjet Kripos-it për EncroChat-in gjatë periudhës prill–qershor 2020 dhe marrje retrospektive paketash për Sky ECC-në në verën e vitit 2021. Kjo i jep Gjykatës mundësinë, e cila mungon në çështjet e tjera, të diferencojë nëse të dyja rastet duhet të vlerësohen me të njëjtin standard apo nëse modalitetet teknike të bashkëpunimit ndërkombëtar prodhojnë standarde të ndryshme përgjegjësie për shtetin pranues. Përgjigjja, kur të vijë, nuk do të jetë pa ndikim në diskursin shqiptar. Prokuroria e Posaçme operon në pjesën më të madhe me prova Sky ECC të marra retrospektivisht, por vendimtare për mjedisin shqiptar pritet të jetë modaliteti i sigurimit të provës dhe jo nderhyrja në platformat e inkriptuara.

Në planin kombëtar, Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 86/2024 ia kaloi Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vlerësimin konkret të vlefshmërisë së përgjimeve Sky ECC, e cila po shqyrton paralelisht disa procese që përfshijnë këtë tipologji provash, por kjo gjykatë nuk mund të qëndrojë dhe të vendosë në vakuum, e pandikuar dhe e izoluar. Brenda 18–24 muajve, konvergjenca e këtyre çështjeve evropiane pritet të prodhojë një standard ku pyetjet për plotësinë e materialit të dorëzuar, për modalitetet teknike të bashkëpunimit dhe për mundësinë reale të mbrojtjes që të kontestojë besueshmërinë e provës nuk do të kenë më vetëm karakter orientues, por detyrues. Çdo masë sigurimi që merret sot në Shqipëri bazuar mbi provat Sky ECC dhe çdo dënim që mbështetet mbi prezumimin e besimit reciprok apo të zbatimit të doktrinë “së pjatës së argjendë”, mund të jetë i vlefshëm sipas vendimeve gjyqësore aktuale, por i kontestueshëm sipas standardit që po formësohet. Kjo mospërputhje kohore sot prek drejtpërdrejt lirinë individuale të personave subjekt procedimi, por edhe besueshmërinë në një institucion që duhet të kuptojë që moti dhe era po ndryshon.

Shteti Shqiptar, nuk ka përse të presë pyetjet që GJEDNJ po u drejton sot Oslos, Berlinit dhe Talinit, të cilat në thelb, janë të njëjtat me ato që mbrojtësit ligjorë të të pandehurve i kanë ngritur prej kohësh përpara Gjykatës së Posacme: a është dorëzuar materiali i plotë apo një fragment i tij; a mund të kontestohet besueshmëria teknike e tij; a respektohet barazia e armëve. Faktikisht përgjigjet evropiane do të mbërrijnë pas dy vjetësh, por standardi që duhet të mbajë gjyqtari i GJKKO-së ekziston tashmë, i pavarur dhe paraprijës, është ai i përcaktuar në nenin 32/2 i Kushtetutës.

Megjithatë, asgje nuk e ndalon Gjyqtarin e GJKKO-së të shtrojë për diskutim dhe debat cështjet që janë ngritur nga GJEDNJ në lidhje me provat digitale të huaja, duke e bere veten pjesë të konvergjencës evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *