SIGURIA, AVOKATI DHE MEDIA
Rregullorja e re e GJKKO-së kufizimet ndaj avokateve dhe një pyetje e madhe: sa pushtet i duhet shtetit për të realizuar interesin publik?
Shteti modern lindi nga premisa dhe nga nevoja për të garantuar sigurinë. Por shteti kushtetues lindi nga një premisë tjetër: se pushteti i dhënë për të mbrojtur individin nuk do të përdorej më shumë sesa është e nevojshme. Midis këtyre dy premisave apo qëllimeve, sigurisë dhe lirisë, zhvillohet një pjesë e madhe e historisë së shtetit të së drejtës.
Prandaj pyetja që ngre rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme nuk është nëse një gjykatë që gjykon korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar duhet të jetë e sigurt. Duhet, kjo ska diskutim. Pyetja është më e vështirë: sa kontroll i duhet një institucioni për të qenë i sigurt dhe në cilin moment kontrolli shtesë pushon së prodhuari siguri të nevojshme dhe fillon të konsumojë të drejtat dhe liritë që vetë institucioni është krijuar për ti mbrojtur?
Kjo pyetje nuk është abstrakte. Rregullorja e miratuar me vendimin nr. 49, datë 17 korrik 2026, në fuqi prej 1 Shtatorit, rregullon aksesin në godinë, zonat e kontrolluara, kartat, kamerat, pajisjet elektronike, median, publikun, avokatët, të paraburgosurit, të dhënat personale, regjistrat dhe masat administrative. Është një arkitekturë e plotë sigurie. Pikërisht për këtë arsye ajo duhet parë jo vetëm si dokument teknik, por edhe si ushtrim i pushtetit publik mbi njerëzit që hyjnë, punojnë, mbrojnë, mbrohen, raportojnë dhe gjykohen brenda asaj godine.
Siguria si detyrë e shtetit.
Askush nuk mund të thotë seriozisht se Gjykata e Posaçme nuk ka nevojë për një regjim të lartë sigurie. Ajo administron procese që mund të përfshijnë të paraburgosur me rrezikshmëri të lartë, bashkëpunëtorë të drejtësisë, dëshmitarë të mbrojtur, prova sensitive dhe çështje që prekin krimin e organizuar. Në një institucion të tillë duhen kontrolle në hyrje, korridore të ndara, menaxhim i lëvizjes së të paraburgosurve, mbrojtje ndaj regjistrimeve të paautorizuara dhe një sistem reagimi ndaj incidenteve.
Por pranimi i qëllimit nuk mbyll analizën juridike, përkundrazi e hap atë. Në një shtet të së drejtës, fakti se një qëllim është legjitim nuk e bën automatikisht legjitime çdo masë të zgjedhur për ta realizuar, dhe për rrjedhojë të kufizohet dhe preket cdo e liri që supozohet se cënon apo prek këtë qëllim. Pikërisht këtu hyn proporcionaliteti: a është masa e përshtatshme për qëllimin? A është e nevojshme? A ekziston një alternativë që arrin të njëjtin rezultat me më pak ndërhyrje? Dhe, në fund, a justifikohet barra që i vendos individit dhe në vecanti avokatit, nga përfitimi real që krijon për interesin publik?
Kushtetuta shqiptare e njeh këtë logjikë në nenin 17, kur kufizimet e të drejtave dhe lirive i lidh me ligjin, interesin publik ose mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve dhe me kërkesën që kufizimi të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar. Kjo është më shumë se një formulë teknike. Është një ide mbi vetë natyrën e pushtetit: institucioni publik nuk ka të drejtë të përdorë çdo mjet që mundet, por vetëm atë që mund të justifikojë. Qëllimi në vetvete nuk mund të justifikojë mjetin, pasi nuk mund të ketë qëllime legjitime apo të drejta me mjete disporporcionale dhe që dukshëm kufizojnë liritë.
Standardi që gjykata i vuri vetes.
Proporcionaliteti nuk është standard që i imponohet gjykatës nga jashtë. Është standardi që ajo i ka vendosur vetes. Rregullorja e shpall “ligjshmërinë dhe proporcionalitetin” si parimin e parë të sigurisë në gjykatë (neni 6, shkronja “a”) dhe, pak më poshtë, “trajtimin e barabartë ligjor të çdo personi” (neni 6, shkronja “f”). Kërkon që ndërhyrja e personelit të sigurisë të jetë “proporcionale me rrezikun” (neni 60/2). Vendimin për regjistrimin audioviziv të seancave e lidh shprehimisht me “parimin e proporcionalitetit” (neni 79/2). Për median parashikon se kufizimet vendosen “vetëm kur janë të nevojshme, proporcionale dhe të arsyetuara” (neni 89/3 i rregullores).
Prandaj pyetja që ngrihet në këtë shkrim nuk është nëse gjykata duhet t’i nënshtrohet një testi që nuk e njeh. Pyetja është nëse ajo e ka zbatuar njëtrajtësisht testin që vetë e ka shkruar. Kur një akt e deklaron proporcionalitetin si parim themelor, çdo ndalim kategorik brenda tij mbart një barrë të shtuar justifikimi.
Një institucion që nuk nisi nga zero.
GJKKO-ja nuk u ngrit në një ndërtesë pa histori. Gjykatat e posaçme(shkalla e parë dhe apeli) filluan punën në ambientet e ish-Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe trashëguan jo vetëm infrastrukturën, por edhe një kulturë të caktuar organizimi të proceseve penale me rrezik të lartë. Në të njëjtën godinë janë administruar për vite të paraburgosur, seanca sensitive, dëshmitarë, prani policore dhe vëmendje e lartë mediatike.
Kjo nuk do të thotë se mungesa e një incidenti në të kaluarën provon mungesën e rrezikut sot. Një regjim sigurie është nga natyra, edhe parandalues. Do të ishte e gabuar t’i kërkohej gjykatës të priste një incident përpara se të merrte masa. Por logjika parandaluese nuk e heq nevojën për vlerësim; përkundrazi, e bën atë më të rëndësishëm. Pyetja serioze nuk është: “çfarë incidenti ka ndodhur?”. Pyetja është: “cili është rreziku i identifikuar, me çfarë probabiliteti dhe potencialisht cila pasojë është vlerësuar, cilat kategori personash e gjenerojnë dhe pse masat më pak ndërhyrëse nuk mjaftojnë?”.
Këto pyetje janë edhe më e forta pasi vetë Rregullorja është ndërtuar mbi një logjikë të klasifikimit të rrezikut. Ajo dallon nivele, kërkon vlerësim paraprak dhe parashikon masa sipas natyrës së çështjes dhe të seancës. Pra institucioni e pranon si parim se nevoja për siguri nuk është identike dhe e njëtrajtëshme në çdo rast. Rreziku matet, klasifikohet dhe menaxhohet. Pikërisht për këtë arsye lind një paradoks kur, për disa kufizime, logjika e diferencimit zhduket dhe zëvendësohet nga një ndalim uniform dhe kategorik.
Siguria dhe diferencimi i pajisjeve elektronike.
Pjesa më domethënëse e debatit është ndalimi i telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike në sallën e gjykimit. Neni 76 ndalon futjen, mbajtjen dhe përdorimin e tyre, ndërsa për avokatin në nenin 77 parashikon një përjashtim për kompjuterin portativ (laptopin) kur ai përdoret për funksione të lidhura me procedurën.
Në pamje të parë, masa është e thjeshtë. Një telefon mund të regjistrojë pa u vënë re, të fotografojë, të transmetojë drejtpërdrejt, të komunikojë jashtë sallës dhe të ndërpresë solemnitetin e seancës. Për një gjykatë penale këto nuk janë shqetësime imagjinare.
Kjo nuk nënkupton që posedimi duhet të ndalohet për të gjithë dhe në çdo rast. Nëse rreziku është regjistrimi, fotografimi apo transmetimi, mund të rregullohet përdorimi. Nëse rreziku është edhe vetë prania e pajisjes, atëherë duhet shpjeguar pse laptopi i cili ka mikrofon, kamerë, lidhje interneti, mundësi regjistrimi dhe transmetimi, konsiderohet rrezik i administrueshëm, ndërsa telefoni jo.
Ky nuk është një argument që provon automatikisht se ndalimi është i paligjshëm. Mund të ketë shpjegime dhe justifikime praktike të rëndësishme: telefoni është më i vogël, më i lehtë për t’u përdorur fshehurazi, më i shpejtë për fotografim dhe më i vështirë për t’u monitoruar vizualisht. Por këto janë pikërisht arsyet që duhen artikuluar. Ato nuk duhet të zëvendësohen nga formula e përgjithshme se “çdo pajisje mund të përbëjë rrezik”.
Nëse rregullorja e sigurisë ngrihet mbi vlerësimin e rrezikut, atëherë edhe kufizimi i teknologjisë duhet, në parim, të lidhet me rrezikun konkret, kategorinë e përdoruesit dhe funksionin e pajisjes. Përndryshe, kemi një sistem që kërkon diferencim kur vlerëson kërcënimin, por uniformitet kur kufizon të drejtat.
Telefoni nuk është e drejtë. Funksioni që ai kryen është çështja.
Debati bëhet i cekët sapo reduktohet në pyetjen nëse avokati “ka të drejtë të mbajë telefonin”. Natyrisht që Kushtetuta nuk njeh një të drejtë themelore për smartphone. Objekti fizik nuk është pika.
Pyetja është funksionale. Çfarë përfaqëson sot kjo pajisje në ushtrimin e një profesioni të lirë?
Për një avokat, telefoni është shumë shpesh email, kalendar procedural, autentifikim dyfaktorësh, akses në cloud, komunikim me zyrën, bashkëmbrojtësin, ekspertin, përkthyesin dhe familjarët e klientit; është mënyra për të marrë një dokument që sapo është dërguar, për të kontrolluar një afat, për të koordinuar një paraqitje dhe prezence ne seancë dhe angazhim tjetër, për të marrë një udhëzim urgjent ose për të komunikuar gjatë pritjeve të gjata ndërmjet seancave. Në shumë raste, është edhe interneti i laptopit që lejohet të futet në sallë.
Kjo nuk do të thotë se avokatia nuk mund të ushtrohet pa telefon. Një pretendim i tillë do të ishte i ekzagjeruar. Do të thotë diçka më modeste dhe më reale: teknologjia dhe lidhja elektronike janë bërë pjesë e infrastrukturës së zakonshme përmes së cilës ushtrohet profesioni.
Dikur vendi i punës ishte kryesisht një hapësirë fizike. Sot, për shumë profesione të lira, “zyra” është e shpërndarë: studioja, laptopi, telefoni, email-i, cloud-i, sistemi elektronik dhe interneti janë pjesë të së njëjtës infrastrukturë profesionale. Shteti nuk duhet ta vlerësojë ndërhyrjen vetëm duke pyetur se çfarë objekti fizik po heq nga xhepi i profesionistit, duhet të pyesë edhe se cilat funksione profesionale bëhen më të vështira ose të paarritshme si pasojë.
Në këtë kuptim, proporcionaliteti nuk mat vetëm objektin që kufizohet, mat funksionin që kufizimi prek.
Nga mjeti i punës te liria e profesionit dhe liria ekonomike.
Këtu debati prek një dimension që deri tani është trajtuar pak: lirinë e ushtrimit të profesionit dhe lirinë e veprimtarisë ekonomike.
Neni 11 i Kushtetutës mbron lirinë e veprimtarisë ekonomike. Neni 49 njeh të drejtën për të fituar mjetet e jetesës me punë të ligjshme të zgjedhur ose të pranuar. Profesioni i avokatit, nga ana tjetër, është konceptuar nga ligji si profesion i lirë dhe i pavarur. Kjo nuk do të thotë se çdo rregull procedural apo organizativ që prek avokatin bëhet automatikisht çështje kushtetuese. Por do të thotë se mënyra konkrete në të cilën shteti ndryshon kushtet e ushtrimit të profesionit nuk është juridikisht neutrale.
Këtë e ka pranuar edhe Gjykata Kushtetuese në një kontekst tjetër. Në vendimin nr. 70, datë 27.12.2023, lidhur me hartën e re gjyqësore, Gjykata e shqyrtoi pretendimin e Dhomës së Avokatisë për cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike në këndvështrim të neneve 11 dhe 17. Ajo pranoi se kishte kufizim të kësaj lirie, por e konsideroi atë proporcional. Kjo është domethënëse: fakti që një masë shtetërore nuk ndalon avokatin të ushtrojë profesionin nuk do të thotë se ajo nuk mund ta kufizojë atë. Analiza zhvendoset te justifikimi dhe proporcionaliteti i kufizimit.
Prandaj nuk është serioze të thuhet se telefoni si objekt gëzon mbrojtje kushtetuese. Por është serioze të pyesësh nëse kufizimi i një mjeti që është integruar në mënyrë funksionale në ushtrimin e profesionit prek realisht lirinë e tij dhe, nëse po, në çfarë mase.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për avokatin, sepse profesioni i tij nuk është thjesht aktivitet ekonomik. Ai është njëkohësisht instrument për realizimin e një të drejte të një personi tjetër, të drejtës së mbrojtjes. Sa më afër ushtrimit të një të drejte themelore ndodhet një profesion, aq më pak mund të trajtohet infrastruktura e tij si çështje thjesht komoditeti.
Sekreti profesional: problemi nuk është vetëm përdorimi, por edhe dorëzimi.
Ka edhe një aspekt tjetër që meriton më shumë vëmendje: çfarë ndodh me pajisjen pasi ndalohet futja e saj?
Telefoni i avokatit mund të përmbajë komunikime me klientin, dokumente, shënime, të dhëna autentifikimi, kontakte, materiale të çështjeve të tjera dhe informacione që mbulohen nga sekreti profesional. Rregullorja nuk autorizon leximin apo kopjimin e tyre dhe kjo është e rëndësishme. Por konfidencialiteti nuk mbrohet vetëm duke mos shkruar në normë se pajisja do të kontrollohet.
Në një sistem serioz sigurie, edhe dorëzimi i një pajisjeje profesionale duhet të ketë garanci të qarta: ku depozitohet, kush e merr në dorëzim, a vendoset në një ndarje individuale, a lëshohet dëftesë, a regjistrohen apo jo identifikues të pajisjes, kush mban përgjegjësi në rast humbjeje ose dëmtimi dhe çfarë mekanizmi ekziston nëse pretendohet akses i paautorizuar.
Kjo nuk është paranojë teknologjike. Është mënyra normale si ndërtohet besimi institucional, jo duke kërkuar që personi të besojë verbërisht, por duke ndërtuar procedura që e bëjnë abuzimin më të vështirë dhe përgjegjësinë më të identifikueshme.
Nëse avokatit i kërkohet të dorëzojë një pajisje që mban informacion profesional konfidencial, shteti duhet të jetë po aq i kujdesshëm me ruajtjen e atij informacioni sa kërkon që avokati të jetë me ruajtjen e rendit të sallës.
Nga siguria te proporcionaliteti: çështjet që ngre përgjigjja e Gjykatës.
Më 16 shtator, në përgjigje të kërkesës së Dhomës së Avokatisë për rishikimin e nenit 76, kancelari i Gjykatës së Posaçme dërgoi një shkresë prej njëzetenjë faqesh. Ajo është akt administrativ për nga forma, por në përmbajtje është një memorandum(opinion ligjor) juridik i plotë.
Përgjigjja mbështetet te kompetencat institucionale të gjykatës, statusi i godinës si objekt me rëndësi të veçantë, roli i Gardës së Republikës, praktika e Gjykatës Kushtetuese dhe një panoramë krahasuese që shkon nga Strasburgu e Luksemburgu te gjykatat federale amerikane, praktika gjermane, Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe Old Bailey.
Kjo meriton të thuhet qartë: Të paktën institucioni nuk heshti, ai argumentoi. Por duke argumentuar pranoi, në thelb, se masa duhet të matet me një standard juridik, bazë ligjore, qëllim legjitim, domosdoshmëri dhe proporcionalitet.
Por pikërisht këtu përgjigjja mbetet e diskutueshme. Shumë prej shembujve krahasues tregojnë se sistemet e tjera përdorin modalitete të ndryshme sipas kategorisë së përdoruesit, natyrës së gjykatës, rrezikut dhe funksionit të pajisjes. Në disa raste posedimi ndalohet për publikun, në të tjera avokatëve u lejohen pajisje nën kushte të caktuara. Pra krahasimi ndërkombëtar nuk jep një rregull universal. Ai tregon më shumë një parim administrimi, që masa(kufizuese) përshtatet me kontekstin.
Edhe argumenti se kontrolli i vazhdueshëm i përdorimit është praktikisht i pamundur ka peshë. Askush nuk mund të presë nga personeli i sigurisë të verifikojë çdo sekondë nëse një pajisje po regjistron. Por nga kjo nuk del automatikisht se ndalimi total është e vetmja zgjidhje. Midis përdorimit të lirë dhe ndalimit absolut ka një gamë masash, pajisje të fikura, modalitete të posaçme për avokatët, masa sipas nivelit të rrezikut, urdhra individualë të kryesuesit, dorëzim vetëm në çështje të klasifikuara me risk të lartë, sanksione për përdorim të paautorizuar.
Për të qenë bindës, institucioni duhet të shpjegojë jo vetëm pse rreziku ekziston, por pse këto alternativa nuk janë të mjaftueshme. Porpos kësaj duhet të argumentojë përse regjistrimi nëpërmjet telefonave përbën risk dhe cënon sigurinë, kur bazuar në Kodin e Procedurës Penale në cdo seancë gjyqesore kryhet regjistrimi audio, kjo me pasoja dhe efekt pavlefshmërie të seancës nëse mungon dhe në cdo rast palet vecanërisht mbrotja kanë të drejtë të kërkojnë kopje të regjistrimit audio pas përfundimit të saj.
E njëjta normë, pasoja jo të njëjta.
Përgjigjja e GJKKO-së mbështetet, ndër të tjera, edhe në parimin e uniformitetit: rregulli zbatohet ndaj kategorive të ndryshme të personave që hyjnë në gjykatë dhe nuk është konceptuar si një masë e drejtuar posaçërisht ndaj një grupi të caktuar. Në planin formal, kjo mund të paraqitet si një garanci e trajtimit të barabartë. Por barazia formale e rregullit nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në pasojat që ai prodhon.
Pozita konkrete e personave që preken nga rregulli është e ndryshme. Gjyqtari dhe prokurori ushtrojnë funksionet e tyre brenda një strukture institucionale që u siguron zyra, sekretari, staf administrativ, sisteme të brendshme komunikimi dhe mjete të tjera për përmbushjen e detyrave të tyre. Për ta, kufizimi i përkohshëm i aksesit te telefoni gjatë një seance mund të kompensohet, në një masë të caktuar, nga infrastruktura institucionale në të cilën ushtrojnë funksionin.
Situata e avokatit është e ndryshme. Ai është profesionist i jashtëm, që nuk vepron brenda infrastrukturës së gjykatës dhe nuk ka në dispozicion të njëjtat burime institucionale. Ai mund të ketë nevojë të komunikojë me klientin, zyrën, kolegët apo persona të tjerë që lidhen me çështjen, ndërsa mund të qëndrojë për periudha të gjata në pritje midis seancave. Për këtë arsye, i njëjti kufizim formal mund të prodhojë mbi të një kosto praktike dhe profesionale dukshëm më të madhe.
Kjo tregon se proporcionaliteti nuk mund të reduktohet në formulën se “rregulli është i njëjtë për të gjithë”. Analiza e proporcionalitetit kërkon të vlerësojë edhe mënyrën konkrete se si kufizimi prek secilën kategori dhe nëse ekzistojnë dallime objektive që kërkojnë një trajtim të diferencuar. Barazia nuk qëndron vetëm në aplikimin identik të një norme, por edhe në vlerësimin e pasojave reale që ajo prodhon.
Në këtë kuptim, një telefon mund të jetë fizikisht i njëjti objekt për një anëtar të publikut, një gazetar apo një avokat, por funksioni që ai përmbush nuk është domosdoshmërisht i njëjtë. Për avokatin, pajisja mund të jetë një mjet i lidhur drejtpërdrejt me ushtrimin e profesionit dhe me komunikimin që kërkon përfaqësimi efektiv i klientit. Prandaj, një rregull uniform në formulim nuk mund të konsiderohet automatikisht uniform në efekt dhe, aq më pak, automatikisht proporcional vetëm për shkak se zbatohet ndaj të gjithëve.
Media dhe parimi i publicitetit të gjykimit.
Pjesa tjetër e rregullores që meriton vëmendje është media. Rregullorja krijon një regjim akreditimi, identifikimi, regjistrimi, autorizimi për ndjekjen e seancave, administrimi të vendeve dhe masa administrative për shkeljet.
Disa prej këtyre masave janë krejtësisht të kuptueshme. Një gjykatë me kapacitet të kufizuar duhet të dijë sa gazetarë hyjnë, duhet të mbrojë dëshmitarët, duhet të administrojë kamerat dhe nuk mund të lejojë filmim të pakontrolluar në korridore sensitive. Në çështje me interes të lartë, rotacioni ose media pool mund të jenë zgjidhje racionale.
Por është e rëndësishme të mos e konceptojmë publicitetin si privilegj të medias. Seanca publike nuk është publike sepse gazetarëve u është dhënë një lehtësi profesionale. Është publike sepse ushtrimi i pushtetit gjyqësor duhet, si rregull, të jetë i dukshëm dhe i kontrollueshëm nga shoqëria. Media është një nga mekanizmat kryesorë përmes së cilës ky publicitet bëhet real për ata që nuk mund të jenë fizikisht në sallë.
Kjo është edhe logjika e standardit të nenit 6 të Konventës Evropiane, publiciteti i procesit mbron palët nga një drejtësi e administruar në fshehtësi dhe kontribuon në besimin te gjykatat. Sigurisht, publiciteti nuk është absolut. Konventa vetë pranon përjashtime për rendin publik, sigurinë, të miturit, jetën private ose interesat e drejtësisë. Por përjashtimi duhet të mbetet përjashtim dhe të justifikohet.
Prandaj pyetja nuk duhet formuluar në mënyrë të ekzagjeruar: “a e bën akreditimi seancën jo publike?”. Jo domosdoshmërisht. Pyetja duhet të ishte se në cilin moment procedura administrative e aksesit bëhet aq e dendur sa publiciteti, nga parim, fillon të funksionojë si akses i administruar nga institucioni?
Dallimi është i hollë, por thelbësor. Një gjë është të administrash praninë e medias. Një tjetër është të krijosh një sistem në të cilin media duhet vazhdimisht të provojë se meriton të hyjë.
Nga “transparenca e kontrolluar” te kontrolli i transparencës.
Rregullorja përdor një gjuhë që përpiqet të bashkojë sigurinë, solemnitetin dhe transparencën. Kjo është e kuptueshme. Asnjë gjykatë nuk mund të funksionojë si hapësirë pa rregulla.
Por “transparenca e kontrolluar” është një koncept që duhet përdorur me kujdes. Transparenca, në shtetin e së drejtës, nuk është diçka që institucioni ia dhuron publikut. Ajo është një mënyrë përmes së cilës vetë institucioni i nënshtrohet kontrollit publik.
Kjo nuk do të thotë se çdo informacion duhet të jetë i hapur dhe çdo derë të qëndrojë pa kontroll. Dëshmitari i mbrojtur duhet mbrojtur. Të dhënat sensitive duhen ruajtur. Siguria fizike duhet garantuar. Por rendi i arsyetimit juridik është thelbësor: si rregull, publiciteti është pika e nisjes dhe kufizimi përbën përjashtim, i cili duhet të mbështetet në një arsye konkrete dhe të justifikuar. Nuk mund të jetë e kundërta, ku kontrolli institucional vendoset si rregull dhe publiciteti trajtohet si një akses që jepet vetëm pas autorizimit.
Mjeti më pak kufizues nuk është dobësi institucionale.
Në fund, debati për telefonin, median dhe aksesin përmblidhet në një pyetje të vetme: a mund të realizohet interesi publik me një ndërhyrje më të vogël?
Një alternativë më pak kufizuese nuk mjafton vetëm sepse është më e butë; duhet të jetë edhe realisht e aftë të arrijë qëllimin e sigurisë. Nëse gjykata provon se një masë më e lehtë nuk e menaxhon rrezikun, ajo ka arsye për të zgjedhur një masë më të fortë.
Por barra e argumentimit ndryshon. Nuk mjafton të thuhet se ndalimi total është më i sigurt. Pothuajse çdo kufizim maksimal është, në kuptim të ngushtë, më i lehtë për t’u administruar.
Një ndërtesë pa publik do të ishte më e lehtë për t’u ruajtur; një gjykim pa praninë e medias do të sillte më pak rrezik filmimi; një sallë pa pajisje elektronike do të ishte më e thjeshtë për t’u kontrolluar. Por shteti i së drejtës nuk kërkon eliminimin absolut të çdo rreziku. Ai kërkon menaxhimin e rrezikut përmes masave të nevojshme dhe proporcionale, duke garantuar, në masën më të madhe të mundshme, ushtrimin e lirive dhe të drejtave, duke përfshirë dhe funksionimin normal të profesionit të avokatit dhe të procesit gjyqësor. Pikërisht këtu qëndron dallimi midis sigurisë si funksion institucional, e cila kërkon identifikimin dhe administrimin e rreziqeve konkrete, dhe sigurisë si logjikë administrative, ku minimizimi i rrezikut mund të kthehet në justifikim për kufizime gjithnjë e më të gjera.
Nga administrimi i rrezikut te administrimi i lirisë.
Kufizimet më problematike nuk janë gjithmonë ato që duken të rënda në momentin kur miratohen. Shpesh, problemi shfaqet më vonë, kur një masë e konceptuar si përjashtim shndërrohet gradualisht në mënyrën normale të administrimit. Pikërisht në këtë moment ndryshon, në mënyrë të heshtur, edhe logjika e arsyetimit, nuk është më institucioni që duhet të shpjegojë pse po kufizon një të drejtë, por qytetari, gazetari ose avokati që duhet të shpjegojë pse duhet të lejohet ta ushtrojë atë.
Ky është ndoshta rreziku më i rëndësishëm i çdo arkitekture të rreptë kontrolli. Jo domosdoshmërisht abuzimi i menjëhershëm, por normalizimi gradual i një marrëdhënieje ku leja bëhet pikënisje dhe liria përjashtim. Kur kjo logjikë vendoset si mënyrë e zakonshme administrimi, kufizimi nuk perceptohet më si një ndërhyrje që kërkon justifikim, por si gjendje normale nga e cila individi mund të përjashtohet vetëm nëse plotëson kushtet e përcaktuara nga institucioni.
Kjo nuk do të thotë se çdo kartë identifikimi, çdo regjistër, çdo procedurë akreditimi apo çdo autorizim është, në vetvete, i padrejtë ose i paligjshëm. Administrimi i një institucioni kompleks kërkon mekanizma të tillë dhe, në rrethana të caktuara, ato mund të jenë të nevojshme për sigurinë dhe funksionimin normal të tij. Problemi lind atëherë kur këto mekanizma, të marrë së bashku, ndryshojnë natyrën e marrëdhënies ndërmjet institucionit dhe individit, kur administrimi i aksesit shndërrohet në administrim të vetë ushtrimit të së drejtës dhe kur ajo që duhet të jetë e lirë bëhet diçka që kërkon leje paraprake.
Prandaj, pyetja nuk është nëse një institucion duhet të kontrollojë apo jo. Çdo institucion gjyqësor ka nevojë për rregulla, kontroll dhe masa sigurie. Pyetja është se ku duhet të vendoset kufiri ndërmjet administrimit të rrezikut dhe administrimit të lirisë. Sa më shumë që kontrolli prek ushtrimin e një të drejte, aq më konkrete duhet të jetë arsyeja që e justifikon atë dhe aq më i qartë duhet të jetë raporti ndërmjet rrezikut të identifikuar dhe masës së marrë.
Një gjykatë e fortë nuk është ajo që kontrollon gjithçka. Është ajo që di të dallojë atë që duhet kontrolluar nga ajo që mund të lihet e lirë, që shpjegon pse një kufizim është i nevojshëm, që e përshtat masën e marrë me natyrën dhe nivelin e rrezikut, dhe që, kur dy mjete janë njësoj efektive për arritjen e të njëjtit qëllim, zgjedh atë që ndërhyn më pak në të drejtat dhe liritë e individit. Sepse siguria e një institucioni nuk matet vetëm nga sa shumë kontroll ushtron, por edhe nga aftësia e tij për të ditur se kur kontrolli duhet të ndalet.
Përtej telefonit, siguria, liria dhe kufijtë e ndërhyrjes shtetërore.
Pas 16 shtatorit kemi një rregullore në fuqi, një kërkesë të Dhomës së Avokatisë ende pa zgjidhje, një përgjigje të gjatë të Gjykatës së Posaçme dhe një debat që nuk duhet të reduktohet në simbolikën e një pajisjeje elektronike. Telefoni është vetëm pika në të cilën ky debat u bë i dukshëm. Thelbi i çështjes është shumë më i gjerë: si duhet të veprojë shteti, dhe në këtë rast pushteti gjyqësor, kur një qëllim i rëndësishëm publik përplaset me ushtrimin e lirive, profesioneve dhe garancive procedurale? A duhet institucioni të zgjedhë masën që i siguron kontrollin maksimal, apo atë që arrin nivelin e nevojshëm të sigurisë me ndërhyrjen më të vogël të mundshme në të drejtat dhe liritë themelore të individit?
Në një shtet të së drejtës, interesi publik nuk përkthehet në një të drejtë të pakufizuar të institucionit për të maksimizuar kontrollin. Ai nënkupton detyrimin për të realizuar një qëllim të ligjshëm publik përmes masave që janë të nevojshme për arritjen e tij dhe që nuk shkojnë përtej asaj që kërkohet për këtë qëllim. Pikërisht këtu fillon testi i proporcionalitetit: jo në pyetjen nëse ekziston një qëllim legjitim, por nëse ndërhyrja konkrete është e nevojshme, e përshtatshme dhe nëse nuk ekziston një mjet tjetër më pak kufizues që do të arrinte të njëjtin rezultat.
Ky standard vlen për publikun që hyn në sallën e gjyqit. Vlen për gazetarin që raporton mbi procesin. Dhe vlen, në një mënyrë edhe më të drejtpërdrejtë, për avokatin që ushtron profesionin dhe mbron të drejtat e personit që përballet me fuqinë ndëshkuese të shtetit. Avokati nuk është thjesht një përdorues tjetër i godinës së gjykatës. Ai është pjesëmarrës në procesin e dhënies së drejtësisë dhe në garantimin e të drejtave procedurale të personit që përfaqëson. Dokumentet, komunikimet, shënimet dhe mjetet që përdor gjatë ushtrimit të profesionit lidhen drejtpërdrejt me strategjinë, përgatitjen e mbrojtjes dhe me ushtrimin efektiv të së drejtës për një proces të rregullt ligjor.
Dhe pikërisht këtu shfaqet një nga paradokset më të rëndësishme të kësaj çështjeje. Gjykata është institucioni përpara të cilit autoritetet e tjera duhet të justifikojnë ndërhyrjet e tyre në të drejtat dhe liritë e individit të sanksionuara në ligj dhe në kushtetutë. Ajo vlerëson nëse një kufizim ka bazë ligjore, nëse ndjek një qëllim legjitim, nëse është i nevojshëm dhe nëse është proporcional. Për këtë arsye, i njëjti standard i arsyetimit nuk mund të humbasë rëndësinë kur kufizimi vjen nga vetë institucioni gjyqësor.
Në këtë pikë, debati nuk është më për telefonin. As vetëm për median. Është për një pyetje shumë më të vjetër se çdo teknologji: kur shteti ndërhyn në një të drejtë për të realizuar një qëllim të ligjshëm, kush duhet të justifikojë se ndërhyrja është e nevojshme?
Në një shtet të së drejtës, barra e këtij justifikimi nuk mund t’i transferohet individit. Ajo i takon autoritetit që ushtron kompetencën për të kufizuar të drejtën. Në rastin konkret, kjo nënkupton se gjykata duhet të jetë në gjendje të shpjegojë jo vetëm se ekziston një nevojë për siguri, por edhe pse masa konkrete e zgjedhur është e nevojshme dhe proporcionale me rrezikun që synon të parandalojë. Jo sepse siguria ka më pak rëndësi se liria, por sepse kompetenca për të kufizuar një të drejtë nuk është një kompetencë për të vepruar pa kufi, ajo ushtrohet vetëm në masën që kërkohet për mbrojtjen e interesit publik.
Një institucion nuk bëhet më i dobët kur i kërkohet të justifikojë një kufizim. Përkundrazi, pikërisht aftësia për të dhënë një justifikim konkret, juridikisht të verifikueshëm dhe proporcional me qëllimin e ndjekur është ajo që e dallon ushtrimin e autoritetit juridik nga ushtrimi i thjeshtë i kontrollit administrativ.
Organizim i brendshëm apo kufizim i të drejtave?
Analiza e proporcionalitetit ka një hap paraprak qw nuk mund tw anashkalohet, kufizimi i një të drejte duhet të bëhet me ligj. Neni 17 i Kushtetutës nuk e kërkon këtë vetwm si një formalitet procedural. Kërkesa për bazë ligjore lidhet me vetë ndarjen e pushteteve, vendimi për të kufizuar një të drejtë ose liri themelore i takon ligjvënësit, ndërsa institucioni që zbaton ligjin nuk mund të krijojë vetë, nëpërmjet një akti të brendshëm, kufizime të reja që nuk burojnë qartësisht prej tij.
Rregullorja e GJKKO-së është akt i brendshëm i Këshillit të Gjykatës dhe mbështetet në një bazë ligjore të formuluar në mënyrë të përgjithshme në nenin 3. Për aq sa rregullorja përcakton çështje që lidhen me organizimin e brendshëm, administrimin e godinës, zonat e aksesueshme, kartat e identifikimit, sistemet e kamerave dhe detyrat e personelit, ajo, në parim, qëndron brenda funksionit të saj administrativ.
Çështja bëhet më e ndërlikuar kur rregullorja kalon nga organizimi i brendshëm te vendosja e kufizimeve dhe masave me pasoja të drejtpërdrejta për persona jashtë strukturës së gjykatës. Kështu, parashikimi për ndalimin e hyrjes “në të ardhmen” në nenin 61/1, shkronja “dh”, ngre pyetje të rëndësishme për autoritetin kompetent për marrjen e kësaj mase, kohëzgjatjen e saj dhe mjetet e ankimit. Të njëjtat çështje shfaqen edhe në lidhje me pezullimin ose revokimin e akreditimit të gazetarëve dhe me sekuestrimin e përkohshëm të pajisjeve, të parashikuar në Aneksin nr. 3.
Për avokatin, problemi është edhe më i drejtpërdrejtë. Ndalimi i hyrjes në godinën ku zhvillohen gjykimet e GJKKO-së nuk është thjesht një masë për administrimin e rendit të brendshëm. Nëse zbatohet ndaj një avokati, ai mund të pengojë drejtpërdrejt ushtrimin e profesionit dhe, për pasojë, ushtrimin efektiv të funksionit të mbrojtjes dhe garantimin e të drejtave procedurale të klientit.
Pikërisht për këtë arsye duhet bërë dallimi midis rregullimit të mënyrës së ushtrimit të një të drejte dhe kufizimit të vetë së drejtës. Një akt i brendshëm mund të jetë i nevojshëm për të organizuar mënyrën se si funksionon një institucion, por pyetja është nëse ai mund të shërbejë si burim i vetëm për kufizime që prekin drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e personave që nuk janë pjesë e strukturës administrative të gjykatës.
SHËNIME DHE BURIME
-
Rregullorja e brendshme e GJKKO-së “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes…”, miratuar me vendimin nr. 49, datë 17.07.2026. Veçanërisht: nenet 8-9 (klasifikimi dhe vlerësimi i rrezikut), neni 76 (pajisjet elektronike), nenet 89-99 (media dhe transparenca).
-
Shkresa e Kancelarit të GJKKO-së, datë 16.09.2026, drejtuar Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, për kërkesën për rishikimin e dispozitave mbi telefonat celularë.
-
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë: nenet 11, 17 dhe 49.
-
Gjykata Kushtetuese, vendimi nr. 70, datë 27.12.2023, Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Gjykata vlerësoi se kishte kufizim të lirisë së veprimtarisë ekonomike, por se kufizimi ishte proporcional.
-
Ligji nr. 55/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.
-
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Udhëzuesi mbi nenin 6 të KEDNJ-së (aspekti penal): publiciteti i gjykimit dhe kushtet në të cilat publiku dhe media mund të përjashtohen.
