Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr. 4, datë 08.03.2021 ka vendosur:
– Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 7, pika 2, shkronjat “a” dhe “b”, të ligjit nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e proçesit të kompensimit të pronave”.
– Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të pikave 16/2, 16/4 dhe 18 të VKM-së nr. 223, datë 23.3.2016, “Për përcaktimin e rregullave dhe të proçedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar.
– Rrëzimin e kërkesës për kërkimet e tjera.
– Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë të plotësojë ligjin nga data e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të tij.
– Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Ky vendim është shpallur në datën 08.03.2021 dhe është botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 37, datë 11.01.2021 dhe hyn në fuqi në datën 12.07.2021.
Gjykata Kushtetuese ka marrë në shyqrtim çështjen e mësipërme me kërkues Shoqatën Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” me pretendimin se dispozita të caktuara të ligjit nr. 133/2015 dhe disa akteve nënligjore në zbatim të tij bien ndesh me parimet dhe standartet kushtetuese dhe ato të KEDNJ-së. Sipas kërkuesit dispozitat e kundërshtuara cënojnë parimin e proporcionalitetit të ndërhyrjes në të drejtën e pronës private, pasi në parashikimet e nenit 6 dhe 7, kemi të bëjmë me konceptin e një “shpronësimi të ri”.
Gjykata ka vlerësuar dhe interpretuar shpërblimin e drejtë lidhur me konceptet kushtetuese që kanë të bëjnë me interesin publik, si dhe respektimin e parimeve të drejtësisë, të proporcionalitetit dhe të shtetit social. Në kuptim të këtyre standarteve, Gjykata ka vlerësuar se metodologjia dhe formula e parashikuar nga ligji nr. 133/2015 ndërhyjnë në të drejtën e pronës të sanksionuar në nenin 41 të Kushtetutës, dhe sjell një masë më të ulët kompensimi për subjektet e shpronësuara, e cila konsiderohet si një “ndërhyrje tjetër” në të drejtën e pronës private.
Në këtë drejtim, Gjykata çmon se kjo masë kompensimi duhet të respektojë një nivel të caktuar, me qëllim që të mos çojë në mohimin e së drejtës së pronës private dhe të jetë në përputhje me kriteret e ndërhyrjes në kuptim të neneve 41 dhe 17 të Kushtetutës. Gjykata ka vlerësuar se sistemi aktual i vlerësimit të pronës, nuk respekton në të gjitha rastet pragun minimal prej 10% të vlerësimit financiar dhe për këtë arsye, është një ndërhyrje jo proporcionale në të drejtën e pronës.
Gjykata, me qëllim që t’i japë ligjvënësit kohën e mjaftueshme për të miratuar rregullat e reja ligjore në përputhje me vendimin e saj, vlerëson se Kuvendi duhet të plotësojë ligjin nr. 133/2015 brenda afatit 6-mujor.