Provat Atipike në procesin civil


Përgatiti:
Att. Isuf Shehu
Av.Xhulio Doku

Sipas kuptimit juridik tyre, prova konsiderohen ato të dhëna të cilat paraqiten përpara Gjykatës sipas formave dhe mënyra të përcaktuara nga ligji, duke përdorur burimet e përcaktuara shprehimisht në Kodin e Procedurës Civile dhe që shërbejnë për të konstatuar vërtetësinë e fakteve të cilat pala paraqet përpara Gjykatës, apo e anasjellta për të rrëzuar bazueshmërinë e pretendimeve apo prapësimeve të palës kundërshtare në gjykim.

Për shkak të rëndësisë së pamohueshme që provat kanë në një proces civil, ligjvënësi ka parashikuar në mënyrë eksplicite llojet klasike të provave që janë të lejueshme që të administrohen në këtë proces, si dhe fuqinë provuese të secilës në varësi të formave dhe burimeve të tyre. Baza ligjore e cila përcakton sa më sipër është Kodi i Procedurës Civile së Republikës së Shqipërisë, i cili është miratuar në vitin 1996, i influencuar nga Kodi i Procedurës Civile Franceze.

Duhet thënë se, pavarësisht ndryshimeve që K. Pr. Civile ka pësuar ndër vite, modelet e provave që mund të administrohen në një proces gjyqësor civil janë fiksuar që në versionin e parë të këtij Kodi dhe kanë mbetur të pandryshuara e shteruese. Konkretisht, llojet e provave që K. Pr. Civile lejon të paraqiten nga palët ndërgjyqëse apo të merren nga Gjykata janë:

  • Shkresat
  • Thëniet e dëshmitarëve
  • Ekspertimi dhe eksperimenti
  • Pohimi gjyqësor
  • Filmat grafike, kinematografike dhe regjistrimet e tjera.

Legjislacioni procedural civil shqiptar bën pjesë në ato sisteme juridike të cilat në mënyrë shteruese kanë përcaktuar se cilat prova mund të merren dhe procedurën sesi keto prova mund të merren me  në një proces civil me qëllim që palët për të vërtetuar bazueshmërinë e pretendimeve të tyre në proces. Kjo kategori provash konsiderohet ndryshe si “provë tipike”, pra modele të përcaktuara shprehimisht në ligjin procedurial. Ndërsa të gjitha format e tjera të fiksimit të të dhënave të cilat nuk parashikohen shprehimisht në K. Pr. Civile dhe që shërbejnë për vërtetimin e një marrëdhënie juridike të caktuar konsiderohen si prova atipike. Për shembull, si një nga modelet e provave atipike përmendim komunikimet elektronike me sms apo nëpërmjet platformave të tjera të komunikimit desktop ose mobile. Pohimet e palëve në media sociale, në hapësirat personale të veta apo të individëve të tjerë, janë gjithashtu një tjetër lloj i provës atipike. Pra, çdo formë tjetër e shprehjes së vullnetit për kryerjen e veprimeve që prodhojnë pasoja juridike apo që përdoren për të ndërvepruar në një marrëdhënie shoqërore, e rrjedhimisht edhe juridike, dhe që nuk klasifikohet nga Kodi në kategorinë e provave tipike do të konsiderohet si provë atipike në kuptim të doktrinës juridike mbi këtë nocion.

Pranimi dhe njohja e burimeve të reja atipike të provës ka ardhur si rezultat i zhvillimeve shkencore, ndryshimeve të metodave të zhvillimit të marrëdhënieve shoqërore, si dhe evoluimit të mjeteve të komunikimit në përgjithësi. Për shkak të rritjes së prezencës së tyre në jetën e përditshme, është me vlerë të analizohet se cila është fuqia provuese e formave atipike të provave në një proces gjyqësor civil dhe si trajtohet ky institut nga sistemi juridik shqiptar.

Kodi i Procedurës Civile i RSH qartësisht dhe shprehimisht ka parashikuar se provat që mund të përdoren në një proces civil janë vetëm ato të parashikuara në mënyrë taksative nga ky Kod, duke përjashtuar në këtë mënyrë mundësinë e administrimit të provave që nuk janë parashikuar ne të. Gjithashtu, doktrina shqiptare është e vakët në këtë drejtim, ashtu si dhe jurisprudenca e Gjykatës së Lartë, e cila është inekzistente për shkak se në asnjë vendim të Gjykatës së Lartë nuk është trajtuar nocioni i provave atipike. Në këto kushte, marrja dhe cmuarja e tyre ne procesin civil, kushtezohet më së shumti nga njohuritë, bindja e brendshme dhe vullneti i gjykatës e cila ndryshon nga një gjyqtar në tjetrin. Le të marrim rastin e sms-ve (mesazhet telofonike nëpërmjet rrjetit GSM), nga përvoja dhe eksperienca kemi hasur jo pak raste ku gjykata na ka urdhëruar që për të vërtetuar autencitetin dhe krijuar bindjen e vërtetësisë së sms-ve që të paraqeshin vërtetime nga kompania celulare, në një rast tjetër me një trup tjetër gjykues na është kërkuar që të paraqitnim vërtetim nga AKEP, në disa raste është mjaftuar me kqyrjen e aparateve celulare, në një rast tjetër ka pranuar fotografimet që ka bërë noteri përmbajtjes së tekstit direkt nga aparati celular, por e vërteta është se në të shumtin e rasteve këto prova nuk janë administruar dhe pranuar nga gjykata.

Nëse do t’i referohemi jurdiksioneve(shteteve) të tjera, vërejmë se ka një tendencë të përgjithshme në favor të lejimit të provave atipike, pavarësisht inferiorietit të fuqisë së tyre provuese përballë formave taksative të provave tipike. Shumë juristë kanë argumentuar dhe sugjeruar se sistemi i provave nuk duhet të trajtohet si një sistem i mbyllur, por pjesë e tij duhet të jetë çdo e dhënë e cila pavarësisht formës, burimit apo faktit që nuk është përcaktuar si provë klasike në ligjin procedurial, ndikon në bindjen e Gjykatës për meritat e themelit të një mosmarrëveshjeje juridiko-civile.

Kështu, nëse pohimet e palëve në një gjykim janë kontradiktore dhe nuk ka asnjë provë tipike të përcaktuar nga K. Pr. Civile për të vërtetuar njërin ose tjetrin pretendim, nga ana e Gjykatës mund të merren në konsideratë komunikimet elektronike midis palëve, qoftë me sms, whatsapp apo e-mail, të cilat ndonëse nuk kanë fuqi të plotë provuese sipas ligjit procedurial, ndikojnë në bindjen e Gjykatës dhe në dhënien drejtësi, i cili është dhe misioni i kësaj të fundit. 

Në një tjetër rast, nëse një individ ka publikuar një shkrim apo ka lënë një koment në rrjete sociale, i cili cënon nderin dhe dinjitetin e një tjetër individi, një fotografi me screenshot i shkrimit mundet fare mirë që të provojë ekzistencën e faktit përpara Gjykatës, së bashku me thëniet e dëshmitarëve apo prova të tjera të cilat mund të administrohen nga Gjykata për këtë qëllim.

Në botën e biznesit, komunikimi elektronik gjithnjë e më shumë po plotëson apo dhe zëvendëson komunikimin shkresor midis subjekteve, ndaj përdorimi i këtyre komunikimeve si provë në një proces civil do të ishte në koherencë me këtë zhvillim të marrëdhënieve të biznesit. Nëse në përmbushje të detyrimeve kontraktuale, njëra palë ka ofruar një shërbim konsulence për palën tjetër nëpërmjet një komunikimi me postë elektronike, një kopje e printuar e komunikimit elektronik duhet të shërbejë si indicie për Gjykatën, në konstatimin që kjo e fundit duhet të bëjë nëse shërbimi është ofruar ose jo sipas kushteve kontraktore.

Ndaj me të drejtë shtrohet pyetja nëse të dhënat dhe komunikimet elektronike të mësipërme, mund të përdoren si prova në një proces civil? 

Duhet thënë se legjislacioni aktual procedurial, pavarësisht se është shterues në lidhje me tipet e provavë që merren dhe menyren e marrjes se tyre në një proces civil, ka lënë një hapësirë për marrjen e provave të tjera të cilat mund të jenë filmime grafike apo kinematografike, apo filmime e regjistrime të tjera të ngjashme, por pa sqaruar se çfarë do të konsiderohet “regjisrim” në kuptim të kësaj dispozite, dhe pa treguar menyrën/procedurën sesi keto prova mund të merren. Konkretisht, Neni 278 i K. Pr. Civile parashikon se filmat fotografikë ose filmat kinematografikë, kasetat e çdo lloji, si dhe çdo lloj tjetër regjistrimi, mund të përbëjnë provë për ngjarjet e sendet që janë regjistruar, kur gjykata bindet për saktësinë e vërtetësinë e tyre. Nëse do ta interpretojmë këtë dispozitë në mëyrë literale, vërejmë se legjislatori lejon marrjen e provave filmike, apo regjistrime të çdo lloji, megjithatë ia lë në dorë Gjykatës për të vlerësuar nëse këto prova mund të administrohen duke iu referuar sigurisë që ato ofrojnë në lidhje me autenticitetin e tyre. Por, duhet përmendur fakti që mungon një rregullim ligjor ezaurues mbi mënyrën e marrjes se këtyre provave, siç ndodh në rasstin e provave shkresore, ekspertizës, dëshmisë apo pohimit. Referuar parimeve të përgjithshme gjykata kryen çmuarjen e provave bazuar në bindjen e saj të brendshme, por kur bëhet fjalë për provat atipike ajo edhe marrjen e tyre do ta bëjë në bazë të bindjes së saj. Thënë ndryshe, në Kodin e Procedurës Civile nuk kemi as kritere, as procedurë, as rregullim dhe as mënyrë se si duhet ti marrim këto prova, dhe kjo është shumë dekurajuese për palët që të paraqesin të tilla prova në proces duke pasur parasysh që gjykimi mund të drejtohet nga një gjyqtar me njohur të cunguara në fushën e teknologjisë së informacionit.  

Një zgjidhje efikase do të ishte ndërmarrja e nismave për ndryshime ligjore. Duhet përmendur fakti që hapa përpara janë bërë pasi Kuvendi ka miratuar Ligji “Për dokumentin elektronik” nr. 10273/2010 i ndryshuar, i cili e përkufizon dokumentin elektronik si çdo informacion i krijuar me “cilësi dokumentare”, i dërguar, i marrë ose i ruajtur në formë elektronike nga një sistem kompjuterik apo nga një mekanizëm i ngjashëm dhe që plotëson kushtet për vlefshmërinë. Në këtë ligj në nenin 5, 6, 7 dhe 8 përcaktohen kriteret, struktura dhe forma që një baze te dhënash kompiuterike duhet të plotësojë që të kualifikohet si një dokument elektronik i vlefshëm dhe duke u ndalur tek kriteret një ndër to është edhe nënshkrimi elekronik i cili duhet të jetë i përfshirë në të. Kështu, Ligji “Për nënshkrimin elektronik” nr. 9880/2008 në Nenin 4 të tij parashikon se Veprimet juridike dhe aktet e hartuara nga personat fizikë dhe juridikë, publikë e privatë, mund të bëhen edhe përmes një dokumenti elektronik, të cilit i bashkëlidhet një nënshkrim elektronik i kualifikuar. Dokumenti elektronik, i cili mban emrin e nënshkruesit dhe nënshkrimin e tij të kualifikuar, ka të njëjtën vlefshmëri ligjore dhe fuqi provuese me formen shkresore. Mund të themi që kjo dispozitë jo vetëm që parashikon një formë të re të kryerjes së veprimit juridik, të pa parashikuar shprehimisht nga Neni 80 i Kodit Civil, që është ajo elektronike por e barzvlerëson këtë të fundit me shkresen e cila parashikohet si provë “tipike” në nenet  246-276 të K.Pr.Civile. Në deduksion të cfarë parashtruam mund te themi me bindje të plotë që dokumenti elektronik është një provë shkresore, por jo në formën klasike të saj. Gjithashtu duhet theksuar se Ligji nr. 10273/2010 i ndryshuar dhe Ligji nr . 9880/2008 nuk i lë shumë hapësirë bindjes së gjykatës, që kjo e fundit të vlerësojë autenticitetin e dokumentit elektronik dhe nënhkrimit elektronik pasi mjafton që dokumeti te plotësoje kiteret, strukturën dhe formën ndërsa nënshkimi të jetë i kualfikuar, i mbështetur në një certifikatë të kualifikuar të lëshuar nga subjektet e miratuara me ligj për këtë qëllim, që është e vlefshme në çastin e krijimit të nënshkrimit dhe është prodhuar me një mjet të sigurt për krijimin e nënshkrimeve elektronike. 

Ashtu si në rastin e nënshkrimit dhe dokumentit elektronik, veprimi i duhur do të ishte hartimi i një pakete apo edhe vetëm të një ligji i cili do të rregullonte mënyrën, kriteret, rregullat dhe procedurën e marrjes së provave të përshkruara në nenin 278 të Kodit të Procedurës Civile, si regjistrimet, fiksimet, filmimet, fotografimet, emailet, mesazhet audio, video apo tekst si dhe komentet nëpër rrjete sociale apo cdo lloj informacioni i percjelle nepermjet rruges dixhitale. Keto prova pa asnjë paragjykim duhet të merren në të njëjtat kushte me provat shkresore, në bazë të një procedure pa ju nënshtruar një procesi “parakualifikimi” nga ana e gjykates mbi bazën e bindjes së saj të brendshme ne referim të nenit 278 të Kodit të Procedures Civile. Nësë per provat shkresore pala të cilës i kundër drejtohet ajo ka detyrimin që të provojë pavërtetësinë apo falsitetin e saj edhe në rastin e “regjistrimeve” apo “fiksimeve” nëpërmjet teeknologjisë së informacionit duhet të aplikohet po e njëjta procedurë. Në këtë mënyrë çmuarja e tyre do të bëhet gjatë debatit gjyqësor në zbatim të parimeve të përgjithshme mbi të cilat mbështetet procesi civil gjithashtu zgjerohet edhe rrethi i tipeve/llojeve të provave që mund të merren gjatë gjykimit.

Jemi të qëndrimit se Gjykata në një proces civil nuk duhet të lejojë marrjen e provave të cilat nuk parashikohen apo përmenden si të tilla nga K. Pr. Civile, apo të marrë prova për  të cilat Kodi nuk ka parashikuar një procedurë të caktuar, pasi një veprim i tillë e bën vendimin e Gjykatës të kontestueshëm për shkak të shkeljeve proceduriale në marrjen e provave, shkelje të cilat ndikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë të drejtën kushtetuese të palëve ndërgjyqëse për një proces të rregullt ligjor.

Nga ana tjetër, ka nevojë për një ndryshim në K. Pr. Civile për të mundësuar përfshirjen në paketën e provave që mund të shqyrtohen në një proces civil edhe të disa kategorive të provave atipike, të cilat janë gjithmonë e më prezente në marrëdhëniet shoqërore midis personave, për shkak të zhvillimeve teknologjike dhe shkencore të realizuara nndër vite. Ndaj ndryshimi i Nenit 278 të Kodit të Procedurës Civile është kusht. Ky nen duhet të jetë një dispozitë referuese, duke zgjeruar gamën e provave që mund të merren në një proces civil, por duke kërkuar dhe zbatimin e kritereve të posaçme të ligjit apo ligjeve të veçanta në lidhje me mënyrën e marrjes së tyre.


Leave comment

Shehu and Partners

Our Firm’s goal is becoming a reference point for the best consulting services in Albania.

Contact Us

Tweets

  • Shehu and Partners
    👏🏻👏🏻👏🏻nje dite e madhe per Shqiperine, per te dyten here me histori por kete here ne vullnet te plote instaluam diktaturen. May 17, 2020 10:42 pm
  • Shehu and Partners
    Ne kete shkrim synojme tju japim nje panorame te qarte se cilat jane zgjidhjet qe ofron Qeveria, ne raport me zgjid… https://t.co/6Gm1yVw32x May 16, 2020 4:51 am