A janë ndryshimet e fundit në Kodin Penal masat e duhura në parandalimin e përhapjes së Covid-19?
Nga:
Avokat Isuf Shehu,
Avokat Oltion Vathaj
Në seancën e datës 16.04.2020, Kuvendi, ka miratuar projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, në kuadër të masave parandaluese kundër pandemisë Covid-19, ku konkretisht janë shtuar këto dispozita ligjore:
Neni 89/b i Kodit Penal Përhapja e sëmundjeve infektive
Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet.
Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 (dy) vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 (tre) deri në 8 (tetë) vjet.
Neni 242/1 i Kodit Penal Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë
Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj.
Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vit.
Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose izolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit, nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 3 (tre) vjet.
Këto ndryshime të sipërcituara, parashikojnë sanksione penale ndaj disa formave të mosbindjes së qytetarëve, ndaj masave të organeve kompetente shtetërore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore (neni 242/1), si dhe rregullave të karantinës, për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive (neni 242/2).
Po le të ndalemi fillimisht tek neni 89/b dhe vecanërisht tek elementet e veprës penale(krimit), dhe më pas tek masa e dënimit.
Në paragrafin e parë të këtij neni është përdorur togëfjalëshi “përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin”. Këtu vecojmë fjalën dashje. Sipas Kodit Penal dashja është një nga format e fajit e parashikuar në nenin 14 të tij. Nuk do të hyjmë në thellësi të këtij instituti të rëndësishëm të të drejtës penale duke e analizuar fjalë për fjalë dhe plotësisht kuptimin e dashjes dhe format e saj por do të mjaftohemi me përcaktimin e saktë dhe lakonik të nenit 15 të Kodit Penal: “Vepra penale kryhet me dashje, kur personi i parashikon pasojat e veprës penale dhe dëshiron ardhjen e tyre ose, megjithëse i parashikon dhe nuk i dëshiron ato, me ndërgjegje lejon ardhjen e tyre.” Këtu shihen tre elemente: (i) parashikimi, subjekti i veprës penale e kupton rëndësinë e veprimeve që është duke bërë, pra personi abstragon mbi një rezultat të mundshëm; (ii) dëshira, është produkt sa i logjikës por edhe e emocioneve të subjektit të veprës penale, me anë të cilit tregon miratimin e ardhjes së pasojave të rrezikshme kriminale; dhe (iii) ndërgjegja, në fjalë më të thjeshta është procesi të kuptuarit dhe të vlerësuarit nga ana e subjektit të veprës penale të mendimeve, dëshirave, qëllimeve, motiveve dhe veprimeve të veta, në tërësi. Duke u rikthyer tek vepra penale objekt analize, në interpretim të neniet 15 të Kodit Penal, që të kemi dashje duhet që autori i veprës penale të parashikojë faktin që njërëzit mund të vdesin apo t’u dëmtohet shëndeti, gjithashtu ai dëshiron që kjo gjë të ndodhë dhe të gjitha këto veprime ai i kryhen duke qënë plotësisht i ndërgjegjshëm. Më tej neni 89/b i Kodit Penal vijon: ”nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve”. Veprimet apo mosveprimet, janë elementë të anës objektive të veprës penale dhe mund të jënë të ndryshëm dhe të larmishëm, por në thelb të gjitha kanë për qëllim transmetimin apo futjen në organizmin e gjallë të agjentit patogjen që shkakton sëmundjen. Në varësi të agjentit patogjen(virus, bakter apo ndonjë organizëm tjetër i natyrës parazitare) kushtëzohet edhe mënyra e infektimit por në cdo rast ato janë të përcaktuara, identifikuara, të aprovuara dhe të përfshira në protokollet mjekësore. Duke e lidhur me situatën konkrete atë të pandemisë Covid-19 me të drejtë lind pyetja a ka protokolle, rregullore dhe udhëzues që përcaktojnë ekzaktësisht menyrën e trasmetimit dhe futjes së këtij virusi në organizëm që më pas të mund të përcaktojmë tërësinë e veprimeve dhe mosveprimeve që janë të ndaluara dhe që shkatojnë përhapjen e virusit Covid-19? Duhet pasur parasysh që për Covid-19 dihet shumë pak, që është ende në fazë studimi dhe, që deri tani studiuesit kanë dhënë vetëm rekomandime dhe sygjerime. Në këtë rast, pra kur patogjeni dhe vetë sëmundja ka shumë të panjohura është shumë e vështirë që të përcaktohet ekzaktësisht se cilat janë veprimet apo mosveprimet shoqërisht të rrezikshme nëpërmjet të cilëve përhapet infeksioni. E thënë thjeshtë, në praktikë paraqiten vështirësi në provueshmërinë e anës objektive të veprës penale, actus reus.
Një problem tjetër shquajmë tek cilësitë e subjektit të veprës penale të nenit 89/b të kodit penal “(i)personi që është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes apo nga (ii)personi që ka qëllim përhapjen e saj”, që është subejkt i posacëm por edhe i përgjithshëm.
Subjekti i posacëm është (i) Personi që është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes, dhe këtë cilësi e merr mbi bazën e një ekzaminimi mjeksor të specializuar. Pavarësisht se dispozita përcakton që pergjegjesia penale lind me diagnostikimin e sëmundjes infektive, kjo nuk mjafton, pasi personi nuk është ne dijeni të rrezikshmërisë së veprimeve apo mosveprimeve të veta, pra duhet me doemos që atij ti jetë komunimuar rëndësia e sëmundjes, mënyra e ndërveprimit me personat e tjerë, si dhe sjellja e tij në tërësi duke përcaktuar mënyrën e izolimit dhe distancimit fizk. Subjekti përgjithshëm është (ii)personi që ka qëllim përhapjen e saj” i cili jo domosdoshmërisht duhet të jetë mbartës, apo i diagnostikuar. Subjekti i përgjithshëm merret në pergjegjësi penale kur ekziston dyshimi i arsyeshëm që ai ka pasur si qëllim përhapjen e një sëmundje infektive. Nëse në rastin e subjektit të posacëm personi instrumentalizon veten për të përhapur sëmundjen(por edhe kjo gjë nuk është kategorike), subjekti i përgjithshëm nëpërmjet mjeteve, mënyrave, veprimeve apo mosveprimeve të cilat mund të jenë të shumëllojshme përmbush qëllimin për të përhapur sëmundjen infektive tek njerëzit e tjerë. Por në të dyja rastet pavarësisht faktit nëse personi është apo jo mbartës, subjekti i veprës penale ka për qëllim përhapjen e sëmundjes infektive duke instrumentalizuar në mënyra nga me të ndryshmet agjentin patogjen që e shkakton atë. Por cdo të thotë të instrumentalizosh një agjent patogjen? Asgje më shumë se, ta përdorësh një një struktorë biologjike mikroskopike si një armë për të shkatuar dëmtime të shëndetit apo vdekjen e njërëzve.
Nga analiza në tërësi e dispozitës por duke marrë për bazë edhe shpjegimin që u kemi dhënë elementëve të saj kuptotohet fare qartë se ka një dallim të madh midis qëllimi të legjislatorit se përse ky i fundit ka parashikuar futjen e një dispozite të tillë në Kodin për futjen në kodin penal të një dispozite të tillë ka qëne mbrotja e popullatës dhe parandalimi i përhapjes së sëmundjeve infektive gje e cila formëzon atë që quhet objekt i vepres penale. Qëllimi i vërtetë i subjektit të veprës penale nuk është përhapja e sëmundjes infektive por dëmtimi i shëndetit dhe jetës së njerëzve. Le të bëjmë një analogji për të kuptuar më mirë diferencën. Nësë një person mban një armë zjarri pa lejen e organeve kompetente, ai është subjekt i veprës penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar në nenin 278 të Kodit Penal, por nëse po i njëjti person e përdor këtë armë për të marrë jetën e një ose shumë personave ai nuk akuzohet për “armëmbatje pa leje me pasojë vdekjen”( vepër penale që nuk ekziston) por për veprën peanle të vrasjes me dashje, vrasjes me paramendim, vrasje ne rrethana cilësuese etj. E njejta gje vlen edhe kur një përson përdor një agjent patogjen si armë, e cila nuk është një armë të zakonshme, por një armë bio-kimike, dhe infekton nje azil të moshuarish, një shkollë, një lagje, një qytet apo një shtet të tërë ai nuk mund të procedohet penalisht për veprën penale të “Përhapjes së sëmundjeve infektive”, por për vrasje dhe jo një vrasje e zakonshme por “vrasje ne masë”.
Propozimi për futjen e një neni të tillë në Kodin Penal, është parë gjerësisht si një ashpërsim i politikës penale me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive por në të vërtetë është krejt e kundërta. Është një iluzion të mendosh që Kuvendi ka ashpërsuar masat kundër përhapjes së sëmundjeve infektive. Neni 89/b është një shembull i pastër i ndryshimeve ligjore që bëhen në ngutje e sipër dhe si reaksion i situatës së emergjencës.
Krejt ndryshe është situata me përfshirjen në Kodin Penal të veprës penale të “Moszbatimit të masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë” neni 242/1. Denimet e parashikuara në këtë dispozitë janë të ashpra dhe joporpocionale, në mungesë të një raporti të drejtë midis rrezikshmërisë së veprës penale apo kundravajtjes dhe shkallës së fajësisë së autorit.
Kjo dispozitë është një shëmbull i represionit dhe cenon parimin e humanizmit në kushtet e kësaj krize humanitare të paprecedentë. NJë parashikim i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me standartet ndërkombëtare të cilat lejojnë kufizimet e të drejtave të njeriut në kushtet kur jeta dhe shëndeti i njerëzve vihet në rrezik, në kuadër të masave parandaluese, ku cdo kufizim duhet të jetë proporcional, në përputhje me gjendjen që e ka diktuar dhe të mos cenojë thelbin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Përderisa në Shqipëri, nuk ka shëmbuj të mosbindjes civile dhe kur statistikat janë relativisht të ulëta të përhapjes së virusit Covid-19, ky ndryshim në Kodin Penal nuk ishte i nevojshëm dhe i përshtatshëm dhe as i justifikuar. Masat e karakterit administrativ si gjoba për këmbësorët, gjoba dhe pezullim të lejedrejtimit të drejtueve të automjeteve te cilët nuk rrespektojnë fashat orare të lëvizjes, të miratuar nga autoritetet shtetërore, janë masat adekuate parandaluese të cilët imponojnë një formë “presioni” në mënyrë indirekte, dhe që shërbejnë për ndërgjëgjësimin e qytetarëve që të respektojne me rigorozitet masat parandaluese të vendosura nga autoritetet shteterore kundër pandemisë Covid-19.
Miratimi i ndryshimeve ligjore në Kodin Penal, për parashikimin e dënimeve me burgim në rast të mosbindjes ndaj autoriteteve apo shkeljes së rregullave të karantinës, është kontradiktor dhe vjen në kundërshtim me politikën penale të ndjekur nga Këshilli i Ministrave nëpërmjet miratimit të Aktit Normativ Nr.7, datë 23.3.2020 “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve”. Ky akt kishte për qëllim marrjen e masave të përkohshme për të parandaluar përhapjen e infeksionit në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale duke garantuar kushtet për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të të dënuarve, dhe duke mundësuar leje te veçantë 3 mujore për një sërë kategorish të dënuarish që plotësojnë kushtet dhe kriteret sipas Aktit Normativ së sipërcituar. Pra nga njëra anë megjithëse në mënyrë krejt të dyshimtë nga aspekti kushtetues Këshilli Ministrave nxjerr një akt normativ për “zbrazur” burgjet, nga ana tjetër Kuvendi miraton ndryshime në Kodin Penal për të dënuar me burg ata që nuk respektojnë masat e karantinimit. Lehtësisht mund të supozohet që frekuenca e shkelësve mund të jetë e konsiderueshme gjë që do të këtë si rezultat mbushjen e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, prandaj me të drejtë lind pyetja: A ka një politikë të qartë penale në lidhje menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, dhe përse kjo kakofoni normative!?
E arsyeshmja do të ishte që hyrje-daljet nëpër institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të ishin sa më të ulëta madje për të gjithë të arrestuairit e rinj për aq sa të ishte mundësia të zbatoheshin rregullat e karantinimit duke i mbajtur të izoluar dhe vecuar nga të dënuarit e tjere që gjenden në institucion, me qëllim mbrojtjen e jetës së këtyre të fundit nga një infektim i mundshëm.
Si përfundim me bindje mund të themi se ndryshimet e Kodit Penal, në kuadër të masave parandaluese kundër Covid-19, kanë qënë jo proporcionale, të panevojshme, të ngutura, të pajustifikuara dhe janë objekt i një diskutimi të rëndësishëm Kushtetues. Në gjykimin tonë duhet që organet shtetërore të fokusohen te rregullat e distancimit social, sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi i popullatës si dhe mbështetja ekonomike e tyre dhe jo të ndërrmarrë një politike penale populiste për ti treguar publikut të thjeshtë që nga ana e legjislativit dhe ekzekutivit ka një angazhim të shtuar dhe një rrezik të mundshëm që gjendja do përkeqësohet.