Ju ka ndaluar policia rrugore? Dyshon se jeni te dehur? Ja disa keshilla…
Nga:
Avokat Isuf Shehu,
Avokat Oltion Vathaj
Në këtë artikull profesional, ne do të trajtojmë disa probleme dhe do t’ju japim disa këshilla me qëllim garantimin e të drejtave tuaja, në rastet kur ndaleni nga policia rrugore dhe dyshoheni se po drejtoni automjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Ju nuk duhet t’i konsideroni disa nga këto këshilla si truke për t’ju shmangur veprimeve policore dhe përpjekjes së organeve të rendit për të ruajtur rendin dhe sigurine, por si mjete dhe këshilla për t’i garantuar vetes të drejtat dhe liritë tuaja.
Nëse keni plan që të drejtoni automjetin, pavarësisht kufizimeve në lejim që janë bërë me ligj, ju sugjerojme që të mos konsumoni alkool. Në gjykimin tonë moskonsumimi i alkoolit duhet të jetë stil jetese jo vetëm për faktin që në këtë mënyrë do i shpëtoni ndjekjes penale por sepse ruani edhe shendetin tuaj edhe të tjerëve. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë sado e vogel që të jetë sasia e alkoolit në organizmin tuaj ai ndikon në parametrat tuaj fizik dhe mendor. Po sipas Organizatës Botërore të Shnëndetësisë alkooli krijon varësi dhe është droga më e rrezikshme në botë dhe shkaktari me i madh i vdekjeve në planet. Pavarësisht faktit që mbi të është ngritur një industri botërore që mbron dhe nxit konsumin, kostoja në trajtimin e pasojave si në shëndetin mendor dhe ate fizik kapin triliona dollarë. Edhe në vendin tonë kostoja financiare që shkakton alkooli kap vlera maramendëse. Ndaj këshilla jonë më e vlefshme është mos konsumoni alkool.
Së pari, kur urdheroheni apo ju behet shenjë nga policia që të ndaloni, ju duhet të ndaloni në te kundërt do të procedoheni penalisht për shkak se keni kryer kundravajtjen penale të parashikuar ne nenin 242 te Kodit Penal “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Por kini parasysh, nëse oficeri i policisë rrugore ju urdheron që të ndaloni ai duhet ta bëjë mbi bazën e një arsyeje të ligjshme. Pra vetëm nëse oficeri sheh që ju keni shkelur vijën, nuk keni ndezur dritat, po ecni tej shpejtësisë së lejuar, skeni vënë rripin e sigurimit, ndonjë prej fenerëve apo sinjaleve është i dëmtuar, kur keni bërë një parakalim apo kalim të ndaluar apo ndonjë shkelje tjetër të dispozitave të Kodit Rrugor, të sinjalistikës vertikale apo horrizontale, apo kur për mjetin që ju drejtoni, apo ndaj jush ka një urdhër ndalimi atëherë ndalimi juaj është për një arsye të ligjshme. Menjëherë pasi ju të ndaloni, ju keni të drejtë dhe duhet ta pyesni oficerin se kush ka qënë arsyeja e ligjshme për ndalimin tuaj. Gjithashtu edhe në rastet kur ndodheni përpara një post-blloku i cili është vënë në bazë të një urdhëri ju keni të drejtë përsëri të pyesni dhe tju tregohet arsyeja e ndalimit dhe ti kërkoni planin e veprimit, kriteret për ndalimin e mjeteve dhe drejtuesve të tyre, dhe urdhërin apo vendimin për vendosjen e këtij post-blloku. Përvec kësaj në cdo rast keni të drejtë që të njiheni me identitetin e punonjësit të policisë, madje edhe ti kërkoni dokumentin e tij të identifikimit.
Së dyti, oficeri i policisë mund tju drejtojë disa pyetje gjatë ndalimit, si psh: Ku keni qënë, ku do shkoni, me kë keni qënë, a keni pire. Ju nuk jeni i detyruar që t’i përgjigjeni këtyre pyetjeve dhe me mirësjellje refuzoni që t’i përgjigjeni të tilla pyetjeve. Ju duke iu përgjigjur të tilla pyetjeve psh. duke treguar që keni qënë në një darkë ose një drekë ose që keni qënë në një klab me miqtë tuaj keni krijuar dyshimin e arsyeshëm tek oficeri policisë që mund të keni konsumuar alkool. Ndaj, duke refuzuar pergjigjen e këtyre pyetjeve ju keni eleminuar cdo dyshim dhe paragjykim nga ana e oficerit të policisë.
Së treti, mund të ndodhë, që oficeri i policisë t’ju kërkojë që ju të dilni nga makina dhe të kryeni disa teste fizike, psh të ecni në vijë të drejte, tju kontrollojë shikimin apo veprime të tjera fizike të cilat mund të krijojnë bindjen se ju keni drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit. Ne ju këshillojmë të mos i kryeni të tilla teste dhe të tilla veprime, pasi nuk kanë asnjë bazë dhe nuk referohen në asnjë ligj apo rregullore. Por nëse oficeri i policisë kërkon të masë nivelin e alkoolit në frymë nëpërmjet aparateve matës (psh. të tipit Drager) Ju keni detyrimin që ti bindeni urdhërtit të tij, pasi në zbatim të nenit 184 të Kodit Rrugor oficeri policisë ka të drejtë t’ju a kërkojë dhe ju keni detyrimin që ta kryeni testin e matjes së alkoolit në frymë. Duhet të keni parasysh që në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.153 datë 07.04.2000 “Për miratimin e Rregullores në zbatim të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar dhe nenit 184 të Kodit Rrugor të ndryshuar nëse sasia e alkoolit në frymë është 0,2 – 0,5 g/l (gram per liter) drejtuesi eshte nen ndikimin e alkoolit. – kur perqendrimi i alkolit ne ajrin qe del nga frymemarrja eshte mbi 0,5 g/l drejtuesi eshte i dehur. Të tilla rezultate duhet të dalin pas dy matjeve të njëpasnjëshme me një interval prej 5 minutash. Por përpara se të kryet testi i nivelit të alkoolit në fryme në zbatim të VKM-së Nr. 463, datë 18.07.2012 ju keni të drejtë që ti kërkoni oficerit të policisë aktin(procesverbalin) i cili provon që aparati që mat sasinë e alkoolit në frymë(etilometer) është i kolauduar brenda gjashtë muajve të fundit. Pasi të verifikoni që etilometeri është i kolauduar pas cdo majtje të kryer duhet ti kërkoni oficerit të policisë që tju vërë në dispozicion stampuesin, në mënyrë që të provoni që majtja është kryer konform procedurës, por edhe të dispononi provën që vërteton sasinë e alkoolit në frymë. Nëse pas majtjes nëpërmjet etilometrit rezulton se sasia e alkoolit në frymë është më e lartë se 0,5 gr/l ndaj jush do të mbahet procesverbal konstatimi dhe ju do të shoqëroheni pranë komisariatit të zonës ku jeni ndaluar dhe do të arrestoheni në flagrancë për shkak se keni drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe në bazë të materialeve hetimore të referuar nga policia, prokuroria kompetente regjistron procedim penal në ngarkimin tuaj për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal, si dhe kerkon caktimin e nje mase sigurimi personal ndaj jush.
Së katërti. Testi gjakut. Ju do qëndroni në arrest për jo më shume se 72 orë, afat që fillon nga momenti kur ju ndaloheni nga policia, dhe brenda ketyre orëve ju do të paraqiteni përpara gjykatës së rrethit ku jeni arrestuar, e cila do të vlerësojë arrestinbrenda 24 oreve te ardhshme dhe caktojë masën juaj të sigurimit. Gjatë orëve të para të arrestit ju keni të drejtë që t’i nënshtroheni ekzaminimit mjeko ligjor, dhe të kërkoni kryerjen e ekpertimit toksikologjik, me qëllim përcaktimin e nivelit të alkolit në gjak. Ekspertimi toksikologjik është e vetmia provë që ju keni për të kundërshtuar rezultatet e nxjerra nga etilometri në lidhje me sasinë e alkoolit në frymë. Është pikërisht ekpertiza toksikologjike ajo që në mënyrë të saktë dhe të padiskutueshme do të përcaktojë nëse gjatë drejtimit të mjetit keni qënë nën efektin e alkoolit apo i dehur. Marrjen e kësaj prove mund ta kërkoni vetë ju ose përfaqësuesi juaj Duhet të kihet parasysh që në zbatim të nenit 184 Kodit Rrugor dhe nenit 346 të Nr.153 datë 07.04.2000 “Për miratimin e Rregullores në zbatim të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë” policia dhe akuza e përfaqësuar nga prokuroria nuk kanë asnjë detyrim që të kërkojnë bërjen e ekspertimit toksikologjik për të përcaktuar nivelin e alkoolit në gjak, por në zbatim të dispozitatave të Kodit të Procedurës Penale prokurori duhet të marrë edhe ato prova që janë në interes dhe në favor të të dyshuarit, personit nën hetim apo të pandehurit.
Së pesti, por jo më pak e rëndësishmja. Nësë kontatohet se keni qënë i dehur gjatë drejtimit të automjetit do të arrestoheni, ndaj e keni të domosdoshme ndihmën e avokatit. Avokati duhet të jetë proceduralist i mire, dhe njohës i mirë i cështjeve që lidhen me qarkullimin rrugor. Ne ju këshillojmë që në momentin që ju shoqëroheni të kërkoni prezencën e tij. Këto momente janë decizive dhe ndihma e një avokati njohës të fushës dhe me ekperiencë do ju garantojë, konstatimin si të paligjshëm të arrestit, pavlefshmërinë e akteve, papërdorshmërinë e provave, pafajsinë ose pushimin e cështjes. Vetëm pasi të konsultoheni me avokatin, ato caste, ju drejtpërdrejt ose ju nëpërmjet atij do të kërkoni kryerjen e ekspertimit toksikologjik për të matur nivelin e alkoolit në gjak dhe vleresuar nëse keni qënë i dehur apo jo gjatë drejtimit të mjetit. Kryerja e ekspertimit toksikologjik nuk është gjithnjë veprimi procedural i rekomandueshëm, sepse nëse oficeri policisë nuk ka pasur një shkak të ligjshëm, aparati nuk ka qënë i kolauduar apo funksional nuk ju është vënë në dispozicion stampuesi, nuk është e nevojshme të kërkohet kryerja ekspertiza toksikologjike por pavlefshmëria e akteve dhe papërdorshmëria e provave. Pikërisht, për të vendosur se cfarë duhet berë nevojitet një avokat me cilësitë e larpërmendura.
Ne u ndalëm tek ky fenomen jo vetëm për shkak të shpeshtësisë por edhe se ekspertët e sigurisë rrugore kanë ngritur me kohë shqetësimin se gypat alkol matës, të cilët shërbejnë për të verifikuar nivelin e alkolit të konsumuar nga drejtuesit e mjeteve nuk janë precizë dhe kjo ka bërë që të jepen dënime të pamerituara ndaj shkelësve të ligjit. Në një vëzhgim dhe analizë që ka bërë Byroja Inxhinierike e Ekspertëve Profesionistë të Sigurisë Rrugore dhe Aksidentëve raporton se “Dragërat” (aparatet matës) në disa raste kanë treguar nivele konsumi alkooli që logjikisht duhet ta gjenin drejtuesin ne koma, e në disa raste kanë nxjerrë vlera jo të sakta pas frymarrjes nga gypi. Ndodhur në këtë situatë ekspertët kanë kërkuar jo vetem kolaudimin e të gjitha paisjeve që përdor Policia Rrugore, por kanë propozuar edhe ndryshime në VKM për “Rregulloren dhe zbatimin e Kodit Rrugor në RSH-së”. Kërkese e cila është legjitime dhe duhen të merren menjëhere masa për të mundësuar ndryshimet ligjore përkatëse.
Në shumë vende të Evropës por edhe më gjerë, majtja me etilometer nuk është e detyrueshme por vullnetare, pasi rezultatet e marre nga këto paisje nuk janë të besueshme dhe të sakta, sepse në momentin e konsumimit të alkolit, niveli tij në frymë është në masë më të lartë, sesa sasia që realisht ka konsumuar alkool personi. Efektet e alkoolit nuk janë të menjëhershme, kjo për shkak të proceseve biologjike të tretjes që ndodhin në organizmin e njeriut. Dehja, si fenomen dhe gjendje, është intoksikimi për shkak të konsumit të tepërt të alkoolit që shkakton paaftësi të dukshme fizike dhe mendore. Nisur nga ky përkufizim marrja e një individi në përgjegjësi penale për shkak se ka kryer veprën penale të parashikuar në nenin 291 Kodit Penal vetëm mbi bazën e të dhënave që merren nëpërmjet etilometerit është abuzim i madh. Kur në shumë sisteme ligjore, në përcaktimin nëse një person është i dehur, merren për bazë mosha, pesha, seksi dhe shumë parametra të tjerë biologjikë, në vendin tonë dënohesh vetëm mbi bazën e të dhënave që në të shumtën e rasteve merren nga aparate jashtë standardit dhe të pa kolauduara.
Në gjykimin tonë duhet të bëhen ndryshime si në Kodin Rrugor dhe posacërisht në nenin 184, por edhe VKM Nr.153, datë 07.04.2000 “Për miratimin e Rregullores në zbatim të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë” neni 346, së pari duke përcaktuar si fakultativ matjen e nivelit të alkoolit në frymë nëpërmjet etilometerit, dhe së dyti duke e përcaktuar si të detyrueshëm ekspertimin toksikologjik nga ekspertët mjekoligjor, në kushtet e arrestit ose të shoqërimit, për të përcaktuar nëse personi ka drejtuar ose jo në gjendje të dehur automjetin. VKM aktuale përcakton se kontrolli i drejtuesve të mjeteve nën ndikimin e alkolit kryhet nëpërmjet analizave të ajrit që del gjatë frymarrjes(aparat Drager) dhe jo nëpërmjet analizave të gjakut(ekspertim toksikologjik). Pikërisht për shkak të shkeljeve proceduriale të kryera në praktikë nga organet proceduese, si dhe për shkak se aparatët matës të alkolit nuk jane precizë, shqetesim i ngritur në kohë nga ekspertët e sigurisë rrugore mendojme që zgjidhja e duhur është ndryshimi i VKM Nr.153, datë 07.04.2000, konkretisht në nenin 346, te percaktohet se: “Kontrolli i drejtuesve të mjeteve rrugore nën ndikimin e alkolit sipas nenit 184, pika 4, të Kodit Rrugor, kryhet nëpërmjet një ekspertimi toksikologjik…..”
Kjo praktikë do të ishtë në interesin më të lartë të qytetarit, të të drejtave të veta civile, në garantim të procesit të rregullt ligjor, sigurisë juridike dhe vetë sigurisë publike.
Pergezime per artikullin dhe per ndergjegjesimin e qytetareve ne lidhje me te drejtat e tyre.
Ne lidgje me procesin e kolaudimit te dragerave, do te deshiroja ta zgjeroja me tej informacionin.
Verifikimi i performances se instrumentave mates/testues eshte nje ceshtje shume e diskutuar ne vitet e fundit, per shkakun se me se shumti keto instrumeta jane ne doren e organeve ligjzbatuese dhe rezultatet e marra prej tyre aktivizojne sanksione te dhimbshme e padeshirueshme si per individed ashtu dhe subjektet tregtare. Ky problem eshte mbare-boteror, jo vetem kombetar.
Matja/analizimi me instrumenta mates nuk eshte shkence egzakte por vleresim empirik. Qe ky vleresim te jete sa me prane te vertetes dhe me diapazone te njohura shmangie apo gabimi, ka nje sere masash e procedurash qe duhet te zbatojen rigorozisht, per te cilat nuk po shkruaj ketu pasi do kohe e vemendje.
Per kete arsye zbatimi i standarteve nderkombetare per kalibrimin dhe verifikimin e performances eshte zgjidhja qe ofrohet ne mbare boten per te gjykuar mbi vlefshmerine dhe saktesine e rezultateve te matjevevte kryera me instrumenta mates.
Vetem kalibrimet e instrumentave ne laboratore kalibrimi te posacem, te culet jane te akredituar per fushen perkatese te kalibrimit, mund te garantojne cilesi e saktesi te rezultateve te testimir te nje instrumenti mates te caktuar.
Ne vendin tone, baza ligjore e krijimit dhe finksionikit te gjithe inspektorateve qe kryejne vec te tjerash testim/matje, specifikon ne menyre eksplicite qe testimet duhet te kryhen nga laboratore testues te aktedituar dhe pajisjet duhet te jeni te kalibruara nga laboratore kalibrues.
Terminilogjia kolaudim eshte e pavlefshme sot ne cdo vend te zhvilkuar, posi kolaudim nuk do te thote asgje nese nuk ke informacion se kush eshte kolauduesi dhe cfare cikesie kane mjetet e materialer e perdorura. Vetem ne institucionet e akredituara sigurohet gjurmueshmeria e matjes/kalibrimit te kryer.
Thene ndryshe, dragerat e pa kalibruar ne laboratore kalibrues te aktedituar, nuk kane asnje siguri si teknike dhe ligjore qe pasqyrojne rezultate te sakta.