Skema e garancisë shtetërore të huasë në këndvështrimin kushtetues.


Nga:
Av. Arnold Neziri
As. Av. Mikael Metushi



Nisur nga situata e epidemisë, që shumë shpejt mori përmasat e një pandemie botërore e cila nisi fillimisht në disa shtete kryesore botërore dhe vala e të cilës preku dhe Republikën e Shqipërisë, Këshilli i Ministrave ndërmori disa masa emergjente parandaluese në kuadër të gjendjes së diktuar, ku ndër të tjera me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.243,datë 24.3.2020 shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

Gjendur në kushtet e fatkeqësisë natyrore, të këtij armiku të padukshëm Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr. 277, datë 6.4.2020 “Për miratimin e garancisë shtetërore të huas me bankat e nivelit të dytë për pagat  e tregtarëve ose shoqërive tregtare, aktiviteti i të  cilave është prekur nga vendimet e Këshillit të Ministrave, në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19, si edhe për përcaktimin e kushteve e të kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit“, vendim i cili paraqet rëndësi thelbësore për fatin ekonomik të shumë sipërmarrjeve në vështirësi në vendin tonë.

Ky vendim ka miratuar garancinë shtetërore në vlerën 11 miliardë lekë, në favor të Bankave të Nivelit të Dytë, si pjesë e skemës së garancisë që do të mundësojë huadhënien për të përballuar pagat e tregëtarëve ose të shoqërive tregëtare, aktiviteti i të cilave është mbyllur ose është ndikuar me ulje të xhiros si pasojë e Vendimeve Shtetërore, në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga Covid-19.

Në këtë vendim është përcaktuar “Marrëveshja e Garancisë” e cila lidhet ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Bankave të Nivelit të Dytë në cilësinë e huadhënësit, si dhe “Marrëveshja e Mirëkuptimit” që lidhet midis Bankave të Nivelit të Dytë dhe personave juridik apo fizik në cilësinë e huamarrësit.

Në 11 Maj 2020, nëpërmjet VKM nr. 370, datë 06.05.2020 Këshilli i Ministrave ka ndryshuar termat e Marrëveshjes së Garancisë dhe Marrëveshjes së Mirëkuptimit, duke përjashtuar kështu nga ky fond garancie bizneset që kanë “kredi me probleme”. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rezulton se deri në këto momente janë 70 raste të aprovuara me një shumë afërsisht rreth 1 miliardë lekë, ose rreth 9% e fondit, por që ka ndërkohë dhe rreth 300 aplikime të tjera në proces.

Fondi garancisë është lëvruar në përputhje me ligjin nr. 9374, datë 21.4.2005 “Për ndihmën shtetërore”, ku parashikohet se ndihma shtetërore lejohet nëse ajo nxit realizimin e një projekti të rëndësishëm për Republikën e Shqipërisë ose jepet për të mënjanuar gjendje të rënda në ekonominë e vendit.

Skema e garancisë shtetërore të huasë, e miratuar nga Këshilli Ministrave në vendimin nr. 277, datë 6.4.2020 është në mospërputhje me ligjin nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, konkretisht nenin 41, ku parashikohet se shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie.

Në interpretim të këtij neni, gjendur në kushtet e fatkeqësisë natyrore, shpallur me vendimin nr. 243, datë 24.3.2020, është shteti përgjegjës për kompensimin e dëmeve të shkaktuar ndaj personave fizik ose juridik, nga gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe krijimi i skemave të garancisë si nxitje për huadhënie në menaxhimin e pasojave ekonomike nuk nënkupton kompensim por një barrë që bie mbi “shpatullat” e subjekteve, e cila përbën një detyrim që duhet shlyer nga vetë personat në formën e huasë sipas Marrëveshjes së Garancisë norma e interesit mund të shkojë deri në 2.85% ). Megjithatë me ndryshimet e fundit (referuar VKM nr. 370, datë 06.05.2020), edhe kjo huadhënie nuk ka për të ndodhur, për shkak të kritereve të shumta përjashtuese kundër bizneseve aplikuese duke përdorur si justifikim politikat bankare kundër huamarrësve me kredi me probleme sipas Rregullores së Bankës së Shqipërisë “Për administrimin e rrezikut të kredisë nga bankat”.

Njëkohësisht duhet theksuar se ky vendim i Këshillit të Ministrave (VKM nr. 277, datë 6.4.2020, i ndryshuar) është në mospërputhje me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, ku në nenin 170, pika 3 parashikohet se “Ligji duhet të përcaktojë parimet, fushat dhe mënyrën e kompensimit të humbjeve që vijnë si rezultat i kufizimit të të drejtave dhe lirive gjatë marrjes së masave të jashtëzakonshme”.

Neni kushtetues i sipërcituar përcakton kompensimin e humbjeve si rezultat i kufizimit të lirive, duke nënkutuar si “kompensim” një sasi të hollash e cila nuk shoqërohet me një detyrim por vetëm si e drejtë nga e cila përfiton në rastin e gjendjes së fatkeqësisë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton se disa të drejta mund të kufizohen, mund të cënohen gjatë një gjendje fatkeqësie natyrore sic njihen ndryshe “të drejtat kolektive”, si e drejta e organizimit dhe e tubimit, por nga ana tjetër përcakton dhe moskufizimin, moscënimin e disa të drejtave, që njihen si “të drejta personale”, sic janë e drejta e jetës, e drejta për një proces të rregullt ligjor, si dhe te drejtat ekonomike që në vetvete lidhen me jetesën e gjithësecilit.

Sa më sipër Skema e Garancisë e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, paraqet një cënim ligjor dhe kushtetues. Vendimi i mësipërm i ekzekutivit, sikundër shumë vendime dhe akte normative të prodhuara prej tij në këtë periudhë, kanë cënuar shumë të drejta dhe liri themelore kushtetuese, cënimi dhe dhe prekja e të cilave duhet të bëhet formalisht vetëm me ligj, përkundrejt një kompensimi të drejtë. Referuar situatës aktuale të sistemit të drejtësisë në shqipëri, ka pak shpresa që kontrolli kushtetues i ligjeve dhe akteve të ekzekutivit dhe legjislativit të jetë funksional, duke qënë se problemi i gjyqësorit tonë është ekzistencial (mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë) dhe jo vetëm funksional.
Përsa i përket kompensimit, nisur nga gjendja ekonomike aktuale e vendit por dhe rezervat e pakta ekonomike që ka shteti ynë, do të ishte me vend të mendohej një metodë e ndryshme nga ajo e ndjekur nga ekzekutivi, p.sh vendet që paraqesin rrezikshmëri më të lartë infeksionesh për shkak të dendësisë së njerëzve, sic janë baret, restorantet, trasporti publik, transporti detar dhe ajror i pasagjerëve etj, të qëndrojnë të pezulluar deri në një vendim të dytë, dhe të përfitojnë nga kompensimi ose thënë ndryshe “para të drejtperdrejta” që parashikon Kushtetuta dhe Ligji për Mbrojtjen Civile, ndërkohë nga ana tjetër lejimin e bizneseve që nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë të tilla si bizneset e ndryshme qe nuk paraqesin fluks personash, duke lejuar punonjësit të paraqiten dhe zhvillojnë punët e përditshme profesionale.
Kjo metodë ul kostot ekonomike të buxhetit të shtetit dhe njëkohësisht i jep frymëmarrje biznesit duke mos e shtyrë atë të aplikojë Skemën e Garancisë shtetërore të huasë, për pagesën e pagave të punonjesvë, sigurisht dhe ringritjen e ekonomisë pas goditjes së pësuar nga pandemia Covid-19. Por publiku i gjerë dhe në vecanti biznesi shqiptar duhet të ketë në konsideratë që e drejta për kompensim është sa ligjore aq edhe kushtetuese dhe si e tillë përmbushja e një të drejtë të tillë mund të kërkohet edhe gjyqësisht, brenda afateve ligjore.

Lini koment

Shehu and Partners

Qëllimi i Firmës është një; të bëhemi pikë referimi për shërbimet më të mira të konsulencës në Shqipëri.

Na kontaktoni

Tweets

  • Shehu and Partners
    👏🏻👏🏻👏🏻nje dite e madhe per Shqiperine, per te dyten here me histori por kete here ne vullnet te plote instaluam diktaturen. 17 Maj, 2020 10:42 pm
  • Shehu and Partners
    Ne kete shkrim synojme tju japim nje panorame te qarte se cilat jane zgjidhjet qe ofron Qeveria, ne raport me zgjid… https://t.co/6Gm1yVw32x 16 Maj, 2020 4:51 am