0

Shehu & Partners pjese e Projektit “Forcimi i Transparences se Zgjedhjeve ne Shqiperi, 25 Prill 2021”

Avokat Isuf Shehu i thirrur nga Shkolla e Studimeve Politike si ekspert në projektin “Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri, 25 Prill 2021. Në datën 15.12.2021 Z. Shehu mori pjesë në konferencën “Financimi i fushatës zgjedhore keq(përdorimi) i burimeve shtetërore dhe dekriminalizimi. Sfidat e hasura në zgjedhjet e 25 Prillit dhe rekomandimet”, e organizuar në Tiranë në bashkëpunim me KQZ. Konferenca mblodhi së bashku përfaqësues të partive kryesore politike, institucioneve shtetërore, ekspertë dhe aktorë të shoqërisë civile.

Gjatë konferencës doli për diskutim si një pikë shumë e rëndësishme e reformës zgjedhore, ajo e garës elektorale midis grupimeve politike si një pjesë e cila kërkon një vëmendje të vecantë në formim dhe rregullim.

Gjatë kësaj konference Z. Shehu prezantoi dhe parashtroi  konkluzionet dhe përfundimet e këtij projekti si dhe u dhanë rekomandimet për përmirësimin e zbatimit të kuadrit ligjor, në funksion të reformës së re zgjedhore në Shqipëri. Rekomandimet janë si më poshtë:

•      Përdorimi i burimeve shtetërore në zgjedhje kërkon shumë më tepër hetim dhe auditime pranë institucioneve përkatëse. Rritja e nevojshme e kapaciteteve profesionale dhe kompetencave të KQZ në këtë drejtim, mund të plotësohet edhe me përfshirjen e organeve të tjera të pavarura (psh. Kontrolli i Lartë i Shtetit) për verifikimin e shpenzimeve të kryera gjatë fushatës zgjedhore nga zyrtarët që kandidojnë.

•   Kufizimet për ministrat dhe zyrtarët që kandidojnë duhet që të shoqërohen me akte dytësore dhe rregullore të brendshme institucionale për të përcaktuar më mirë ndarjen mes detyrës dhe angazhimit politik.

•      Kodi Zgjedhor dhe ndryshimet e ligjit “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” synuan përfshirjen e KQZ si një organ hetimor në fushën e krimeve zgjedhore. Ushtrimi i komptetencave hetimore kërkon ngritjen e një superstrukture me ekspertizë në praktikat hetimore dhe në kuadrin legjislativ zgjedhor. Do të ishte më efikas rikonceptimi i shqyrtimi administrativ të KQZ, i cili të bazohet në “parimin e kontradiktorialitetit” (denoncuesi ngarkohet me barrën e provës për pretendimet).

•    Struktura aktuale e menaxhimit të administratës shtetërore, përtej shërbimit civil, e bën të pamundur kontrollin e plotë të emërimeve dhe ndryshimeve që mund të ndodhin në prag të zgjedhjeve. Kufizimet aktuale në Kodin Zgjedhor, të cilat janë fokusuar në periudhën e fushatës zgjedhore (vetëm 1 muaj) rezultojnë të pavlefshme në rast se strukturimet e organikave me efekt zgjedhor nisin përpara afatit.

Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e Veprimit kundër Krimit Ekonomik, pjesë e iniciativës së përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”, faza II dhe Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *