0
Malpractise

Mjekimi i pakujdesshëm, alibia e një reforme të pakryer

Nga:
Avokat Isuf Shehu

“Malpractise” apo siç quhet ndryshe mjekimi i pakujdesshëm, është një fenomen që sa herë që ndodh çon peshë gjithë opinionin publik dhe tërheq gjithë vëmendjen mediatike, krijon një paranojë si në radhët e pacientëve, familjarëve të tyre por edhe tek mjekët dhe personeli mjekësor.

Tek pacientët është kalçifikuar ideja se mjekët ose janë të paaftë ose s’kanë vullnet të bëjnë punën e tyre nëse nuk u jepet ryshfet, ndërsa mjekët ndruhen se pas çdo rasti disi problematik, kur gjërat nuk shkojnë mirë për pacientin, do përballen me akuzat e qytetarëve dhe pacientëve, arrestimet dhe dënimet me burg. Situata mund edhe të precipitojë deri në atë pikë sa mjeket për çdo rast problematik apo që del jashtë të zakonshmes, ose do e delegojnë rastin tek specialistët e fushave të tjera, spitalet universitare, dhe në jo pak rast të ngrenë duart dhe deklarojnë haptazi pamundësinë e trajtimit duke u justifikuar në të gjitha mënyrat. Precedenti ekziston; në Itali megjithëse infrastruktura mjekësore nuk mungon, mjekët dhe spitalet nga frika e padive dhe kallëzimeve penale tërhiqeshin nga çdo rast mjekësor problematik duke luajtur një ping-pong të frikshëm me jetën dhe shëndetin e pacientëve. Mjekët, sidomos kirurgët në Itali, nëse nuk ishin plotësisht të sigurt për suksesin, nuk merrnin përsipër ndërhyrjen apo trajtimit dhe gjitha kjo solli nevojën e bërjes së reformës në legjislacionin për përgjegjësinë e mjekëve dhe enteve sanitare. Sot ka ardhur koha që edhe tek ne të bëhet kjo “reformë” e cila nuk është vetëm ligjore, por e krejt sistemit, në aspektin tekniko-shkencor, logjistik, institucional, administrativ dhe financiar.

Por le t’i rikthehemi “malpractice” (mjekimit të pakujdesshëm) në çdo procedim penal pas verifikimit dhe konstatimit të dëmtimit të shëndetit, vdekjes së pacientit apo kanosjes së rrezikut, organi akuzës kërkon të konstatojë dhe provojë nëse mjeku apo personeli mjekësor kanë ushtruar përgjegjësinë mjekësore në pakujdesi ose neglizhencë. Në të tilla raste organet e hetimit thërrasin për ndihmë ekspertët mjeko-ligjorë të cilët në mënyre krahasimore përcaktojnë nëse mjeku apo personeli mjekësor ka përmbushur detyrën në vetëdije dhe përgjegjshmëri. Po kush e përcakton se cila është detyra e tij dhe si duhet ta kryejë atë, kjo është një çështje tek e cila duhet të ndalemi.

Veprimtaria profesionale e mjekut (edhe e mjekut specialist) rregullohet nga një ligj i vitit 2009 për profesionet e rregulluara … ku në nenin 16 të tij, krahas urdhërimeve për organizim dhe funksionim si ente publike, thuhet që mjeket “duhet të respektoj ligjet dhe kodin etik profesional”. Në asnjë ligj as këtu dhe as në ndonjë vend të botës nuk thuhet, dhe kjo ka logjikë, se çfarë diagnostikimi, trajtimi apo ekzaminimi duhet të bëjë mjeku, dhe kjo nuk gjendet në asnjë akt zyrtar por në “Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore”, miratuar nga Urdhri i Mjekut. Në nenin 27 të këtij kodi përcaktohet që diagnostikimi është në gjykimin e tij … mbi bazën e metodave shkencërisht të provuara… dhe se duhet të “formulojë përshkrimin e tij në përputhje me udhëzuesit klinikë dhe protokollet e miratuara”. Faktikisht, si udhëzuesit teknik dhe protokollet e miratuara mungojnë. Deri tani Urdhri Mjekut, katedrat, ministria, apo entet e tjera publike, nuk kanë asnjë rresht të miratuar, asnjë protokoll dhe nuk kanë nxjerrë asnjë udhëzues. Kjo dispozitë e Kodit te Etikës, e cila referon në udhëzues klinike dhe protokollet e miratuara, përcakton detyrën e mjekut dhe mënyrën sesi ajo duhet të përmbushet gjatë proçesit te diagnostikimit, por edhe nëse mjeku ka konsumuar elementet e veprës penale të “mjekimit të pakujdesshëm”. Me fjalë të tjera, kjo gjë në proçedim penal ndan pafajësinë nga fajësia në formën e pakujdesisë. Por faktet janë kokëfortë: ne nuk kemi as udhëzues klinike dhe as protokolle të miratuara. Është pikërisht kjo çfarë e hallakat të vërtetën dhe drejtësinë duke i bërë mjekët sa të pafajshëm po aq edhe fajtorë, sa përgjegjës po aq edhe viktima.

Në fakt zgjidhja prezantohet shumë e thjeshtë- të aprovojmë udhëzuesit klinikë dhe protokollet në mënyrë që e vërteta të dalë në shesh dhe drejtësia të jetë e mundur. Koncepti i udhëzuesve klinikë apo i protokolleve mjekësore lindi në botën anglosaksone dhe duke nisur nga vitet 80 të shekullit të kaluar entet shtetërore, agjenci sanitare, organizata shëndetësore, por edhe grupime ekspertësh të shumë vendeve perëndimore, filluan punën për hartimin e instrumenteve për kodifikimin dhe shpërhapjen e diturisë mjekësore. Arsyet ishin shumë, por thelbësore ishte, e para, nevoja për standardizimin, unifikimin dhe planifikimin e shërbimit mjekësor, e dyta, monitorimi, kontrolli dhe vlerësimi sa më i saktë i shërbimit dhe veprimtarisë së mjekeve, personelit mjekësor, dhe njësive sanitare dhe, e treta, shmangia e çdo spekulimi në lidhje me diagnostikimin, ekzaminimin dhe trajtimin mjekësor. Ky proçes lindi si një proçes shkencor, në përputhje me politikat shëndetësore të secilit vend dhe i përgjigjet zhvillimit dhe evolucionit shkencor. Dhe sot, protokollet mjekësore janë në përmirësim dhe ndryshim të vazhdueshëm, kohë pas kohe. Por që të jenë të vlefshme këto protokolle mjekësore, duhet të plotësojnë tri kërkesa:

  1. të jenë të aplikueshme dhe për të bërë të mundur këtë gjë duhet të sigurohet; teknologjia, infrastruktura, stafi i duhur mjekësor dhe baza e duhur medikamentoze;
  2. të jetë e përsëritshme për të gjithë publikun dhe në çdo kohë;
  3. të ketë baza shkencore, sepse kurrsesi s’mund të jetë një dokument politik.

Pra, nëse hartohen dhe miratohen protokollet apo udhëzuesit klinik, ne nuk do të jemi përballë një reforme në shëndetësi por përballë një revolucioni në politiken shëndetësore. Për pasojë, roli i ekzekutivit do të zbehet, do jetë vetëm monitorues. Pas kësaj, sistemi i menaxhimit dhe financës së shëndetësisë në Shqipëri, si në gjithë botën e civilizuar, do të jetë autonom dhe teknologjia e aplikuar, medikamentet dhe infrastruktura, nuk do jenë më në dorë të ministrisë dhe as të drejtorëve të njësive sanitare, por të diktuara nga udhëzuesit/protokollet klinike. Dhe nëse do të nevojitej qoftë edhe një ndryshim i vogël i këtyre dokumenteve, për çfarëdo arsyeje kjo nuk mund të bëhej as me ligj, as me VKM, dhe as me udhëzim ministri, por vetëm nga kolegjet shkencore, konferencat mjekësore, agjencitë e kujdesit shëndetësor etj., në përputhje të plotë me epokën që jetojmë dhe standardet e BE-së. Si rezultat, nuk do kemi tendera dhe konçesione ‘alla Shqipëri’, investime që veç sa e arnojnë sistemin 70- vjeçar. Nuk do të kemi radhë, mungesë higjiene, medikamente që s’bëjnë efekt dhe pajisje defektoze, madje s’do kemi as “menaxherë” të zotë dhe as “çuna” të shkathët në administratat sanitare dhe ekzekutive. Por do kemi shërbime më të mira, shëndet, me pak vdekje nga pakujdesia dhe jetë më të gjatë për shqiptarët.

Tani, le t’i rikthehemi mjekimit të pakujdesshëm me një pyetje: A mendoni përsëri se faji dhe përgjegjësia është e mjekëve, sepse faktikisht të gjithë mjekët që kanë emigruar në perëndim kanë shkëlqyer dhe janë integruar plotësisht në sistem?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *