Me vendimin e datës 08.04.2021, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, me shumicë votash (gjashtëmbëdhjetë me një) në cështjen Vavricka dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, vendosi se nuk ka pasur asnjë shkelje e nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ky vendim ka vënë në balancë të drejtën për të respektuar jetën private duke zgjedhur të mos jesh i detyruar të bësh vaksinimin e detyrueshëm ( e drejta e prindërve për fëmijët) dhe të drejtës për të mbrojtur interesin publik nëpërmjet vaksinimit të detyrueshëm si masë mjekësore e vendosur nga autoritetet shtetërore për të mbrojtur shëndetin individual dhe publik kundër sëmundjeve ngjitëse.

Në Republikën Çeke, është e detyrueshme vaksinimi i të gjithë fëmijëve kundër disa (nëntë) sëmundjeve, të cilat janë të mirënjohura nga mjekësia. Të gjithë prindërit të cilët nuk pajtohen me këtë detyrim, pa një arsye të besueshme, mund të gjobiten. Fëmijët e pavaksinuar nuk pranohen në cerdhe (me përjashtim të atyre fëmijëve që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetsore).

Në cështjen në shqyrtim, kërkuesi i parë u gjobit për mosrespektim të detyrimit të tij për bërë vaksinimin e detyrueshëm për dy fëmijët e tij. Edhe kërkuesve të tjerë iu është refuzuar pranimi në çerdhe për të njëjtën arsye.

Gjykata vuri në dukje se, sipas praktikës së saj gjyqësore, vaksinimi i detyrueshëm, si një ndërhyrje e pavullnetshme mjekësore, përfaqëson një ndërhyrje në integritetin fizik të njeriut dhe kështu ka të bëjë me të drejtën për të respektuar jetën private, të mbrojtur nga neni 8 i Konventës.

Gjykata ka pranuar se politika Çeke ka ndjekur qëllimet legjitime të mbrojtjes së shëndetit, si dhe të drejtat e të tjerëve, duke vërjetur se vaksinimi mbron si ata që e marrin vaksinën ashtu edhe ata që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore, dhe për këtë arsye mbështeten në imunitetin e tufës për mbrojtjen kundër sëmundjeve ngjitëse. Më tej gjykata ka konsideruar se një “marzh i gjërë vlerësimi” ishte i përshtatshëm për shtetin e paditur (Republikën Çeke) në këtë kontekst.

Gjykata ka vënë në dukje se në Republikën Çeke, detyra e vaksinimit është mbështetur fuqimisht nga autoritetet përkatëse mjekësore të cilat i janë përgjigjur nevojës së ngutshme shoqërore për të mbrojtur shëndetin individual dhe publik kundërs sëmundjeve në fjalë dhe për tu mbrojtur nga cdo trend në rënie i shkallës së vaksinimit midis fëmijëve.

Gjykata ka theksuar se në të gjitha vendimet që lidhen me fëmijët, interesat e tyre duhet të jenë të një rëndësie të madhe.  Në lidhje me imunizimin, objektivi duhet të jetë që cdo fëmijë të mbrohet nga sëmundjet përmes vaksinimit ose për shkak të imunitetit të tufës. Prandaj mund të thuhet në këtë rast se politika shëndetsore Çeke është në përputhje me interesat më të larta të fëmijëve.

Gjykata shqyrtoi proporcionalitetin e politikës së vaksinave. Gjykata vuri në dukje qëllimin dhe përmbajtjen e detyrimit për tu vaksinuar, përjashtimet ekzistuese ndaj vaksinës dhe masat mbrojtëse procedurale në dispozicion. Për më tepër, për sa i përket rrethanave specifike të ankuesve, gjykata vuri në dukje se gjoba e vendosur ndaj z. Vavricka nuk kishte qënë e tepruar. Megjithëse mospranimi i fëmijëve të ankueseve në sistemin parashkollor, nënkuptonte humbjen e një mundësie të rëndësishme për të zhvilluar personalitetin e tyre, kjo ishte më tepër një masë parandaluese sesa një masë ndëshkuese, e cila ishte e kufizuar në kohë, pra lidhej vetëm me kohën derisa fëmijët të mbushnin moshën e frekuentimit të detyrueshëm të shkollës dhe pranimi i tyre në shkollën fillore nuk ishte prekur nga statusi i tyre i vaksinimit.

Si pasojë, masat ndëshkimore për të cilat janë ankuar aplikantët, të vlerësuara në kontekstin e sistemit kombëtar, kanë qënë në një marrëdhënie të arsyeshme proporcionaliteti me qëllimet legjitime të ndjekura nga shteti Çek (mbrojtja kundër sëmundjeve të cilat mund të përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin) e realizuar kjo nëpërmjet vaksinimit të detyrueshëm.

Gjykata sqaroi përfundimisht se, cështja në gjykim nuk kishte të bënte me faktin nëse nga ana e shtetit Çek duhet të adoptohej një politikë tjetër e ndryshme dhe më pak urdhëruese, sic është bërë në disa shtete të tjera Europiane. Përkundrazi, cështja ka të bëjë me faktin nëse autoritetet Çeke kishin tejkaluar vlerësimin në fushën e vaksinimit.

Gjykata arriti në përfundimin se masat e kundërshtuara mund të konsiderohen si “të nevojshme në një shoqëri demokratike”.