Ligji Nr. 164/2020 për disa ndryshime në ligjin nr. 90/2019 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, i ndryshuar.

Kuvendi ka miratuar së fundmi shtyrjen e afatit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me 1 vit. Ligji nr. 164/2020 është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 3, datë 08.01.2021, dhe hyn në fuqi në datën 23 Janar 2021, ndërkohë që i shtrin efektet deri në datën 31 Dhjetor 2021.

Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar, ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri në datën 31 Dhjetor 2021, kanë të drejtë që brenda këtij afati të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.

Këtu përfshihen dhe rastet kur për pasurinë e paluajtshme është bërë edhe më parë rivlerësimi. Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ASHK, apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse.

Për të përfituar nga rivlerësimi, nëpërmjet pasqyrimit të tij në regjistrin e pasurive të paluajtshme, individi duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit (3% e bazës së tatueshme) dhe tarifën e shërbimit, sipas ligjit nr. 90/2019. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive.