Fitimi i shtetësisë nga të huajt kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar, interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit.
Mënyrat e fitimit të shtetësisë shqiptare janë përcaktuar në ligjin nr. 113/2020 “Për shtetësinë” i cili ka hyrë në fuqi në datë 14 Shtator 2020. Sipas këtij ligji shtetësia shqiptare fitohet: – me lindje; – origjinë; – lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë; – natyralizim; – birësim.
Ky ligj, përvec sa më sipër ka përcaktuar në nenin 9 të tij rastet e vecanta të fitimit të shtetësisë shqiptare nga shtetasit e huaj që kanë mbushur moshën 18 vjec. Në zbatim të këtij ligji rastet e vecanta të fitimit të shtetësisë shqiptare nga të huajt që kanë mbushur moshën 18 vjec janë rastet kur nuk përbëjnë kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit dhe shkencës, artit, kulturës, ekonomisë dhe sportit.
Pikërisht në zbatim të ligjit të mësipërm, Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundimi Vendimin nr. 1008, datë 25.11.2020 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Hartimit të Programeve të Vecanta të Shtetësisë”. Ky vendim është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 221, datë 17.12.2020, dhe ka hyrë në fuqi në po këtë datë, 17.12.2020.
Për hartimin e programeve të vecanta, përcaktimin e rregullave specifike të kontrollit të vecantë të sigurisë dhe pastërtisë së figurës në standartet më të larta, krijohet kjo agjenci shtetërore e posacme në varësi të Ministrit të Brendshëm e quajtur Agjencia e Hartimit të Programeve të Vecanta të Shtetësisë (AHPVSH). Kjo agjenci krijohet si një person juridik publik buxhetor, me seli në Tiranë, me veprimtari në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, e cila drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm, i cili përgjigjet para ministrit.
Detyrat kryesore të AHPVSH janë:
a-Përgatitja e kritereve teknike të programeve të vecanta me interes kombëtar, apo me interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit për fitimin e shtetësisë shqiptare nga shtetas të huaj që investojnë në Shqipëri ose kontribuojnë në zhvillimin arsimor, shkencor, artisitiko-kulturor, ekonomik e sportiv të vendit;
b– Përgatitja e kritereve teknikë për fitimin e shtetësisë, procedurat e aplikimit, rregullat e kryerjes së verifikimeve dhe kontrolleve të nevojshme;
c– Përgatitja e rregullave specifike të kontrollit të vecantë dhe të pastërtisë së figurës në standartet më të larta të kontrollit;
d– Harton, implementon dhe administron programet e vecanta;
dh-Shqyrton aplikimet për përputhsmërinë e kritereve për fitimin e shtetësisë, realizon verifikimet e kontrollet në lidhje me pastërtinë e figurës;
e– Bashkëpunon me institucionet përgjegjëse të fushës së arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit për hartimin e programeve të vecanta me interes kombëtar etj..
Në zbatim të këtij vendimi Drejtori i Përgjithshëm i paraqet ministrit përgjegës për cështjet e shtetësisë dhe azilit, rregulloret, projektaktet me karakter individuale dhe normativ, të cilat pritet të dalin në vijim, për të gjitha rastet e vecanta të fitimit të shtetësisë shqiptare nga të huajt.