Qëndrimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë në lidhje me çështjen, se cilës fazë procedurale i takon afati i paraburgimit që konsumohet gjatë gjykimit nga gjyqtari i seancës paraprake.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në datë 30.09.2021, mori në shqyrtim, në dhomë këshillimi cështjen penale Nr. 61010-00587-00-2021 i Regj. Themeltar. Në përfundim të vendimit Nr.00-2021 datë 30.09.2021 kolegji vlerësoi se ndërmjet gjykatave më të ulëta ka qëndrime dhe arsyetime të ndryshme në lidhje me llogaritjen e afatit të paraburgimit të konsumuar gjatë periudhës së gjykimit të kërkesës së prokurorit nga gjyqtari i seancës paraprake.
Në vazhdën e publikimit të vendimmarrjes së kolegjeve të Gjykatës së Larte, në ndihmë të zbatuesve të drejtë dhe opinionit publik, Kolegji Penal i kësaj gjykate në datën 01.11.2021, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen penale Nr. 61010-00587-00-2021 i Regj. Themeltar.
Në përfundim të gjykimit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë analizoi çështjen në tërësi, për njësimin e praktikës gjyqësore në lidhje me çështjen, se cilës fazë procedurale i takon afati i paraburgimit që konsumohet gjatë gjykimit nga gjyqtari i seancës paraprake.
- Në lidhje me pyetjen e ngritur për njësimin e praktikës gjyqësore:
Cilës fazë procedurale i takon afati i paraburgimit që konsumohet gjatë gjykimit nga gjyqtari i seancës paraprake, u mbajt qëndrimi:
- Afati i paraburgimit që konsumohet gjatë seancës paraprake i takon fazave procedurale të hetimit paraprak kur, gjyqtari i seancës paraprake disponon për plotësimin e hetimeve, sipas nenit 332/ç dhe për kthimin e akteve prokurorit për korrigjimin ose saktësimin e akuzave, sipas nenit 332/d, pika 3 e Kodit të Procedurës Paraprake.
- Afati i paraburgimit që konsumohet gjatë gjykimit nga gjyqtari i seancës paraprake i takon fazës procedurale të gjykimit, kur gjyqtari i seancës paraprake disponon për:
a) pranimin e kërkesës së prokurorit dhe dërgimit të çështjes në gjyq;
b) vijimin e gjykimit nga e njëjta gjykatë, kur palët paraqesin marrëveshje mbi kushtet e fajësisë dhe caktimit të dënimit;
c) vijimin e gjykimit nga e njëjta giykatë, kur i pandehuri ka kërkuar gjykim të shkurtuar;
ç) pushimin e akuzës ose të çështjes, apo deklarimin e moskompetencës dhe dërgimin e çështjes në gjykatën kompetente në rastet e parashikuara në ligj, sipas nenit 332/dh gërma “ç” e “d” të Kodit të Procedurës Penale.
- Në lidhje me çështjen konkrete, Kolegji Penal, bazuar në nenin 441 pika 1 germa “c” të Kodit të Procedurës Penale vendosi:
Prishjen e vendimit nr.145, datë 24.06.2021 të Gjykatës së Apelit Shkodër dhe dërgimin e çështjeve për rishqyrtim në atë gjykatë si gjykata kompetente.