SHPREHJA “PA MARRË MË PARË LEJEN NGA ORGANI KOMPETETNT SIPAS DISPOZITAVE TË VEÇANTA”, ANTIKUSHTETUESE.
Gjykata Kushtetuese me Vendimin e datës 04.05.2021 ka vendosur:
- Pranimin e kërkesës.
- Shfuqizimin e shprehjes “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal.
- Detyrimin e Kuvendit të plotësojë normën ligjore nga data e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të tij.
- Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Gjykata Kushtetuese në datën 04.05.2021 ka marrë në shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentash, çështjen me kërkues Gjykatën e Apelit Shkodër, me objekt: “Shfuqizimi i togfjalëshit “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta”, në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si i papajtueshëm me nenet 17, pika 1 dhe 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Vendimi përfundimtar ende nuk është shpallur i arsyetuar. Ky vendim është shumë i rëndësishëm përsa i përket kufizimit të të drejtave dhe lirive të parashikuara në Kushtetutë, pasi kufizimi duhet të jetë vetëm me ligj dhe në përpjestim me gjëndjen që e ka diktuar ata. Duke qënë se liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar, çdo kufizim që vendos ekzekutivi në lidhje me këtë të drejtë kushtetuese duhet të jetë në përputhje me kushtetutën.
Shfuqizimi i mësipërm garanton çdo manifestues të organizohet dhe të tubojë paqësisht nëpërmjet njoftimit paraprak tek organet kompetente, për të zhvilluar tubimin duke përcaktuar orën, vendin dhe mënyrën se si do të zhvillohet tubimi. Leja e policisë nuk duhet të jetë kusht për zhvillimin e protestës paqësore, dhe në këtë mënyrë mosdhënia e lejës të përbëjë shkak për ndjekjen penale të organizatorëve të protestës.
Gjykata, me qëllim që t’i japë ligjvënësit kohën e mjaftueshme për të miratuar normën e re ligjore në përputhje me vendimin e saj, vlerëson se Kuvendi duhet të plotësojë atë brenda afatit 6-mujor.