Duke filluar nga 1 Janari 2021 në Shqipëri do të zbatohen ndryshimet më të rëndësishme në Legjislacionin Shqiptar Tatimor për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Tatimin mbi të Ardhurat dhe Taksat Vendore të miratuara gjatë vitit 2020.
TATIMI MBI VLERËN E SHTUAR (TVSH)
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 576, datë 22.07.2020 Për disa ndryshime në Vendimin nr. 953, datë 29.12.2014 të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 139, datë 29.07.2020.
Pragu i regjistrimit të TVSH-së
Duke filluar nga 1 janari 2021, regjistrimi i TVSH-së do të kërkohet nëse qarkullimi vjetor i tatueshëm tejkalon 10 milion lekë (referuar vitit paraardhës).
Pragu i ri i TVSH-së do të zbatohet në mënyrë uniforme për të gjitha kategoritë e tatimpaguesve. Deri në fund të vitit 2020, çdo person i tatueshëm që kryente një profesion të rregulluar ishte i regjistruar për qëllime të TVSH-së, pavarësisht nga qarkullimi vjetor ose natyra e aktivitetit. Ky rregull do të zëvendësohet në 2021 dhe pragu i mësipërm i TVSH-së do të zbatohet për regjistrimin e të gjithë tatimpaguesve që ofrojnë shërbime të caktuara të kategorizuara si profesione të rregulluara (p.sh. noterët publik, avokatët, dentistët, infermierët, mjekët, farmacistët, inxhinierët, arkitektët, llogaritarët, auditorët, etj.).
Në vitin 2021, pragu i ri i regjistrimit të TVSH-së do të zbatohet edhe për prodhuesit e bujqësisë të cilët më parë ishin të detyruar të regjistroheshin vetëm nëse xhiroja vjetore e tatueshme tejkalonte 5 milion lekë.
TATIMI MBI TË ARDHURAT
Ligj nr. 106/2020 Për disa ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar, është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 154, datë 26.08.2020.
Personat e tatueshëm për qëllime të Tatimit mbi të Ardhurat
Duke filluar nga 1 Janari 2021, përkufizimi i personave që do ti nënshtrohen tatimit mbi fitimin do të ndryshojë pak. Kështu, një person i tatueshëm për qëllime Tatimi mbi Fitimin do të konsiderohej çdo person juridik ose partneritet që realizonte të ardhura vjetore mbi 8 milion lekë në Shqipëri. Më parë, kushti i regjistrimit të tatim fitimit ishte i lidhur me regjistrimin e subjektit si subjekt i regjistruar me TVSH.
Kategoritë e tjera të personave të tatueshëm që i nënshtrohen tatimit mbi fitimin mbeten të njëjtat. Në këtë aspekt, personat juridikë, ortakëritë e thjeshta, personat jorezidentë të cilët krijojnë veprimtari të përhershme në Shqipëri, rezidentë të tjerë tatimorë jo-shqiptarë që nuk i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat personale dhe persona të tjerë pavarësisht nga statusi ligjor ose forma e regjistrimit (përveç rastit kur këta përsona janë subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin mbi biznesin e vogël) do të vazhdojë të konsiderohet si persona të tatueshëm për qëllime të tatimit mbi të fitimin.
Ndryshimet në shkallën tatimore të tatimit mbi fitimin.
Duke filluar nga 1 Janari 2021 tatimpaguesit me të ardhura vjetore deri në 14 milion lekë në viti do të tatohen me 0%. Më parë për këtë kategori tatimpaguesish është aplikuar norma 5%.
Shkalla e tatimit mbi fitimin për tatimpaguesit me të ardhura vjetore mbi 14 milion lekë mbetet 15% e fitimit të tatueshëm. Për më tepër, shkalla e tatimit mbi fitimin nuk do të ndryshojë për kategoritë e tjera të tatimpaguesve që i nënshtrohen tatimit mbi fitimin me normë 5% (d.m.th. zhvilluesit / prodhuesit e softuerit, industria e automobilave, agroturizmi i certifikuar dhe kooperativat bujqësore).
TAKSAT VENDORE
Ligji nr. 122/2020 Për disa ndryshime në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore” të ndryshuar, është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 197, datë 12.11.2020.
Tatimpaguesit e regjistruar që kryejnë një aktivitet biznesi dhe kanë një xhiro vjetore në interval prej 0 – 8 milion lekë, do t’i nënshtrohen tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël. Duke filluar nga 1 Janari 2021, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël për këtë kategori do të jetë me normën 0%. Sapo të tejkalohet qarkullimi, tatimpaguesi është i detyruar të regjistrohet për qëllime Tatimi mbi të Ardhurat dhe të veprojë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat.
Më parë, tatimpaguesit që kishin një qarkullim vjetor nga 0 – 5 milion lekë ishin subjekt i tatimit me normë 0%, ndërsa tatimpaguesit me qarkullim vjetor prej 5 milion lekë – 8 milion lekë ishin subjekt i tatimit me normën 5%.