Ligji Nr. 46/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.
Ligji nr. 46/2021 është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 71, datë 14.05.2021, dhe hyn në fuqi në datën 30.05.2021.
Ligji ka për qëllim rregullimin e situatës së krijuar në sistemin gjyqësor si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ka sjellë shkarkimin e një numri të madh gjyqtarësh, duke ndikuar kështu në mbarëvajtjen e veprimtarisë së gjykatave dhe respektimin e afateve proçeduriale dhe proçesit të rregullt gjyqësor.
Përmes këtyre ndryshimeve rregullohen disa aspekte që kanë të bëjnë me organizimin, funksionimin, kompetencat e organizimin e brendshëm të gjykatave, si dhe funksionimin e administratës së gjykatës, duke synuar ta bëjnë më efektive. Në mënyrë të përmbledhur disa nga ndryshimet janë si më poshtë:
- Ndihmësit ligjorë
Ligji ka parashikuar që ndihmësit ligjorë të ushtrojnë funksionin e tyre në njësinë e shërbimit ligjor jo vetëm pranë gjykatave të apelit por edhe pranë gjykatave të shkallës së parë, gjithashtu është rritur numri i tyre nga jo në shumë se gjysma e numrit të gjyqtarëve që ishte në jo më shumë se numri i përgjithshëm i gjyqtarëve.
Në kuadër të shtrirjes së veprimtarisë së tyre në gjykatën e shkallës së parë dhe në gjykatën e apelit është parashikuar që Këshilli i Lartë Gjyqësor, përveç verifikimit të plotësimit të kritereve të kryejë edhe verifikimin e pasurisë dhe figurës së ndihmësit ligjor njësoj si për verifikimin që kryhet ndaj kandidatëve në formimin fillestar për magjistratë.
Gjithashtu është ndryshuar kriteri i përvojës profesionale i cili aktualisht është jo më pak se 5 vite përvojë duke përfshirë së paku 3 vjet përvojë pune profesionale që lidhet me gjykatën. Ndryshimi në lidhje me këtë kriter parashikon që kandidatët të kenë përvojë profesionale jo më pak se 3 vjet si nëpunës në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose nëorganizatat ndërkombëtare.
- Degët e gjykatave
Degët e gjykatave me ligjin aktual gjykojnë vetëm çështje të cilat nuk janë urgjente. Ligji i ri ka shfuqizuar parashikimin e mësipërm duke i lënë hapsirën kështu që këto degë të mund të gjykojnë çështje civile dhe penale që gjykohen nga një gjyqtar i vetëm, duke përfshirë edhe cështjet të cilat janë urgjente.
- Ndryshimi i përbërjes së trupave gjykuese
Dispozita mbi përbërjen e trupit gjykues është ndryshuar me qëllim që të harmonizohet me parashikimet në ligjet e tjera proçeduriale.
Dispozita e cila parashikon se cështjet penale të gjykuara nga gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar gjykohen nga një trup gjykues i përbërë nga 5 gjyqtarë është shfuqizuar në mënyrë që edhe këto çështje të shqyrtohen nga një trup gjykues i përbërë nga 3 gjyqtarë.
- Kryetari dhe zëvendëskryetari i gjykatës
Ligji sjell ndryshime edhe përsa i përket zgjedhjes së zëvendëskryetarit të gjykatës, duke parë vakancat e krijuara nga procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ligji parashikon disa zgjidhje në mënyrë që kompetencat e kryetarit të gjykatës të mos mbeten pa ushtruar, nëprmjet garantimit të zgjedhjes së zëvendëskryetarit. Kështu zëvendëskryetari do të zgjidhet nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve ndërmjet gjyqtarëve që ushtrojnë detyrën në atë gjykatë. Kriteri aktual i përvojës profesionale që aktualisht është 5 vjet përvojë profesionale si gjyqtar, nga të cilat të paktën 3 vjet në të njëjtën shkallë, lihet i pandryshuar, por deri në përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas ligjit, është parashikuar një dispozitë kalimtare sipas së cilës kandidati për zëvendëskryetar të gjykatës së shkallës së parë duhet të ketë të paktën 3 vjet përvojë profesionale si gjyqtar ndërsa kandidati për zëvendëskryetar të gjykatës së apelit duhet të ketë të paktën 3 vjet përvojë profesionale si gjyqtar i gjyktës së apelit.
Ndërkohë është parashikuar edhe një mekanizëm tjetër zhbllokues sipas të cilit kur nuk konkuron asnjë nga gjyqtarët që plotësojnë kriterin e përvojës minimale profesionale, ose kur asnjë nga gjyqtarët e gjykatës nuk e ka këtë përvojë, zëvendëskryetari i gjykatës zgjidhet nëpërmjet gjyqtarëve të tjerë që ushtrojnë funksionin në atë gjykatë, për një mandat jëvjecar me të drejtë rizgjedhje.
- Kolegjet dhe trupat gjykues të Gjykatës së Lartë
Ndryshime të rëndësishme janë parashikuar edhe përsa i përket dispozitave që lidhen me Kolegjet e Gjykatës së Lartë. Konkretisht është parashikuar që:
-
- Kolegji Civil dhe Kolegji Penal gjykon në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë;
- Kolegji Administrativ gjykon me 3 gjyqtarë të gjitha çështjet, me përjashtim të rekurseve të paraqitura kundër vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit, që kanë shqyrtuar padi ndaj aktit nënligjor normativ, të cilat gjykohen me 5 gjyqtarë.
- Gjithashtu parashikohet edhe se për njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë gjykon në kolegj me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë.
- Gjithashtu është qartësuar edhe kompetenca e Kolegjeve të Bashkuar për njësimin e praktikës gjyqësore. Kështu në parashikimet aktuale rezulton se Kolegjet e Bashkuara shqyrtojnë rastet kur e njëjta cështje juridike nuk është interpretuar në mënyrë të njëjtë nga kolegje të ndryshme të Gjykatës së Lartë, ose në rast se ekziston rreziku për interpretim jo të njëjtë nga kolegje të ndryshme të Gjykatës së Lartë. Kjo dispozitë është ndryshuar duke parashikuar se Kolegjet e Bashkuara shqyrtojnë çështjet kur lind nevoja për ndryshimin e praktikës gjyqësore të njëhësuar jo vetëm kur kjo vërehet nga cështjet e gjykuara nga kolegjet e ndryshme të Gjykatës së Lartë, por për të gjitha çështjet kur lind kjo nevojë.
- Këshilltarët ligjorë pranë Gjykatës së Lartë
Ligji ka parashikuar dy ndryshime në lidhje me kriteret që duhet të plotësojnë këshilltarët ligjorë jomagjistratë pranë Gjykatës së Lartë.
Së pari, është ulur përvoja profesionale nga 10 vjet në 5 vjet si nëpunës i lartë në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare;
Së dyti, është shfuqizuar kriteri që lidhet me autorësinë e artikujve dhe botimeve shkencore në fushën e jursiprudencës, me qëllim rritjen e numrit të kandidimeve.