Aksesi i Prokurorisë në bazën e të dhënave shtetërore
Ligji Nr. 42/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.
Ligji nr. 42/2021 është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 71, datë 14.05.2021, dhe hyn në fuqi në datën 30.05.2021.
Ligji ka përcaktuar rregullime mbi figurën e këshilltarit ligjor në Prokurorinë e Përgjithshme dhe riorganizimin e këtij institucioni duke përfshirë Njësinë e Shërbimit Ligjor. Gjithashtu ligji ka parashikuar se prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm të kenë akses të drejtpërdrejtë si subjekte të interesuara, në sistemet e informacionit apo bazat e të dhënave të administruara nga institucionet shtetërore. Në mënyrë të përmbledhur disa nga ndryshimet janë si më poshtë:
- Njësia e shërbimit ligjor
Ligji ka parashikuar në nenin 69 të tij ngritjen e Njësisë së Shërbimit Ligjor pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Njësia e Shërbimit Ligjor përbëhet nga këshilltarët ligjorë, në të cilën më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm përbëhet nga ndihmësmagjistratë të komanduar, sipas procedurave të përcaktuara në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Prokurorët e komanduar caktohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në Prokurorinë e Përgjithshme sipas ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Statusi i prokurorëve të komanduar përcaktohet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Këshilltarët ligjorë jomagjistratë emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj.
Këshilltari ligjor jomagjistrat duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
- të jetë diplomuar në drejtësi në nivelin “Master shkencor”, të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të legjislacionit të arsimit të lartë;
- përvojë profesionale jo më pak se 5 vjet si nëpunës i lartë në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose në organizatat ndërkombëtare;
- njohuri në jurisprudencën e gjykatave vendase dhe atyre ndërkombëtare;
- njohuri shumë të mira të paktën të një gjuhe të vendeve të Bashkimit Europian;
- aftësi të shkrimit dhe arsyetimit ligjor;
- të mos ketë masa disiplinore në fuqi në pozicionet e mëparshme;
Lidhur me formimin profesional, ligji ka parashikuar se Shkolla e Magjistraturës, në bashkëpunim me Këshillin e Larte të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë e Posaçme, kryen formimin fillestar dhe vazhdues të këshilltarëve ligjorë në Prokurorinë e Përgjithshme përveç kancelarëve, si dhe përgatit kurrikulën për formimin fillestar për këshilltarët ligjorë për një periudhë prej të paktën nënte muajsh. Shkolla e Magjistraturës ofron formim fillestar për këshilltarë ligjorë, të paktën çdo tre vjet.
- Aksesi i prokurorisë në bazat e të dhënave të administruara nga institucionet shtetërore
Ligji parashikon gjithashtu edhe aksesin e drejtpërdrejtë të prokurorve të juridiksionit të përgjithshëm, si subjekte të interesuara, në sistemet e informacionit apo bazat e të dhënave të administruara nga institucionet shtetërore, që përmbajnë informacionin e nevojshëm për hetimin e veprave penale që përfshihen në juridiksionin e tyre sipas nenit 148 të Kushtetutës.
Referuar legjislacionit në fuqi rezulton se, disa institucioneve si, Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit, iu është dhënë e drejta e aksesit në sistemet e inf0rmacionit ose bazat e të dhënave të administruara nga institucionet shtetërore, por kjo e drejtë nuk është parashikuar për prokurorinë e juridiksionit të përgjithshëm.
Siaps këtij ndryshimi, prokurorët mund të aksesojnë një bazë të dhënash shtetërore vetëm në rastet kur informacioni që ruhet në atë bazë të dhënash shtetërore është i nevojshëm për të hetuar një vepër penale.
Aksesi në sistemet e informacionit apo bazat e të dhënave të administruara nga institucionet shtetërore, u nënshtrohet rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale sipas legjislacionit në fuqi.