Ligji Nr. 45/2021 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” të ndryshuar”.

Ligji nr. 45/2021 është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 71, datë 14.05.2021, dhe hyn në fuqi në datën 30.05.2021.

Shtesat dhe ndryshimet e këtij ligji, kanë si qëllim thjeshtëzimin e procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të garantuar funksionimin e plotë dhe normal të kësaj gjykate. Në mënyrë të përmbledhur disa nga ndryshimet janë si më poshtë:

  • Procedura e emërimit nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi

Në parashikimet aktuale të ligjit, në nenet 7/b dhe 7/c përcaktohet procedura e emërimit të gjyqtarit përkatësisht nga Presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi. Në këto dispozita parashikohet që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pas vlerësimit të kushteve dhe të kritereve të emërimit, të hartojë një listë përfundimtare duke renditur kandidatët. Nëse ka më shumë se një vend vakant, Këshilli harton dy lista të vecanta, një prej të cilave është me kandidatët që vijnë nga radhët e gjyqësorit. Me ndryshimet e reja parashikimi ligjor i mësipërm është shfuqizuar, kjo pasi ky parashikim nuk gjente mbështetje në dispozitat kushtetuese, të cilat nuk parashikojnë listat të vecanta, por për cdo vakancë, dërgohet lista e të gjithë kandidatëve që kanë aplikuar për atë vakancë, pavarësisht nëse vijnë nga radhët e gjyqësorit apo jo.

  • Sistemimi i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese pas përfundimit të mandatit

Në lidhje me mandatin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet shtesës së nenit 18, pika 3 e ligjit është parashikuar dhe garantuar e drejta e gjyqtarit, i cili me përfundimin e mandatit të rikthehet në sistemin e drejtësisë të paktën në një pozicion në nivel apeli në gjykata ose prokurori nëse plotëson kriteret për atë pozicion.

  • Procedura e zgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë

Në nenin 86 të ligjit është parashikuar një rregullim tranzitor që lidhet me procedurën e zgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë. Parashikohet ulja e shumicës së nevojshme (kuorum-it), për të pasur një mbledhje të vlefshme të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga ¾ e anëtarëve të saj, në të paktën gjysmën e anëtarëve të saj. Ky propozim vjen si një dispozitë kalimtare, e cila do të jetë në fuqi, deri sa të emërohen të paktën ¾ e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, por në cdo rast jo më vonë se data 31.12.2023.