Ligji nr. 41/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Ligji nr. 41/2021 është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 71, datë 14.05.2021, dhe hyn në fuqi në datën 30.05.2021.
Në bazë të ligjit të mësipërm janë bërë këto ndryshime:
- Përbërja e Gjykatës së Lartë.
Është qartësuar përbërja e Gjykatës së Lartë, duke parashikuar se gjykon në kolegje me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë. Kjo përbërje në trupin gjykues ndiqet si në rastin e shqyrtimit në dhoma këshillimi dhe në seanca gjyqësore. Ndërkohë, në lidhje me njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë gjykon në kolegje me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë dhe për ndryshimin e praktikës gjyqësore në kolegje të bashkuara.
- Nga ana tjetër, është parashikuar që gjykimet për kërkesat e parashikuara në pikën 2, të nenit 13, të këtij Kodi të zhvillohen me një gjyqtar dhe jo më me 3 gjyqtarë, konkretisht për çështjet si vijon:
- kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake;
- ankimi ndaj vendimit të prokurorit për mosfillimin e ndjekjes penale apo pushimin e çështjes për kundërvajtjet penale;
- kërkesa e prokurorit për pushimin e akuzës ose çështjes për krimet;
- kërkesën e prokurorit për dërgimin e çështjes në gjyq;
- kërkesën e prokurorit për miratimin e urdhrit penal;
- kërkesat që lidhen me ekzekutimin e vendimeve penale;
- kërkesat për rivendosje në afat;
- kërkesat që lidhen me marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja, sipas titullit X të këtij Kodi;
- çdo kërkesë tjetër të parashikuar në këtë Kod apo në ligje të veçanta
- Kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë
Po kështu, janë bërë ndryshimet e nevojshme lidhur me shqyrtimin e kërkesës së përjashtimit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, duke parashikuar se lidhur me këto kërkesa tashmë do të vendosë një gjyqtar tjetër i kësaj gjykate, i ndryshëm nga gjyqtarët e trupit gjykues të cilit i përket gjyqtari që kërkohet të përjashtohet, dhe jo më një kolegj i kësaj gjykate, duke synuar uljen e mbingarkesës së pazakontë të gjykatës.
- Kompetenca lëndore e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Gjithashtu, ndryshon edhe neni 75/a i Kodit, që përcakton kompetencën lëndore të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Këto ndryshime janë në përputhje me nenin 135 të Kushtetutës. Në sferën e juridiksionit të saj do të përfshihet edhe gjykimi i veprave penale në nenet vijuese:
-
- neni 230 “Vepra me qëllime terroriste”;
- neni 230/a “Financimi i terrorizmit”;
- Neni 230/b “Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin”;
- Neni 230/c “Dhënia e informacioneve nga persona që ushtrojnë funksione publike ose në ushtrim të detyrës a profesionit”;
- Neni 230/ç “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”;
- Neni 231 “Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit”;
- Neni 232 “Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”;
- Neni 232/a “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”;
- Neni 232/b “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”;
- Neni 233 “Krijimi i turmave të armatosura”;
- Neni 234 “Prodhimi i armëve luftarake”;
- Neni 234/a “Organizata terroriste”;
- Neni 234/b “Banda e armatosur”.
Ky ndryshim në ligjin nr.41/2021 hyn në fuqi në datën 01.06.2021.
- Sanksione për kërkesën e deklaruar të papranueshme
Është shtuar neni 22/a i cili parashikon ushtrimin e ankimit kundër vendimit për kërkesën e përjashtimit të gjyqtarit së bashku me vendimin përfundimtar, duke hequr mjetin e rekursit dhe duke mundësuar që Gjykata e Lartë te jetë me operative ne gjykim dhe ne shkarkimin e ngarkeses së cështjeve që nuk duhet të vijnë në juridiksionin e saj. Në këtë drejtim është vendosur edhe një parashikim i ri, duke vendosur sanksione për kërkesën e deklaruar të papranueshme për përjashtimin e gjyqtarit ndaj subjektit që parashtron një kërkesë të padrejtë. Personi në fjalë detyrohet të paguajë shpenzimet gjyqësore përkatëse si dhe një gjobë deri në 50 000 lekë.
- Ankimi kundër masave të sigurimit
Është qartësuar pika 1 e nenit 249 të Kodit. Në këtë parashikim përcaktohet se kundër vendimit të gjykatës për caktimin e masës së sigurimit, mospranimin ose rrëzimin e saj, sipas nenit 244 të këtij Kodi, lejohet ankim brenda pesë ditëve nga njoftimi i vendimit të gjykatës.
- Zgjatja e paraburgimit, kur është urdhëruar ekspertimi i gjendjes mendore të të pandehurit
Ndryshime janë kryer edhe në nenin 264 të Kodit. Aktualisht, kjo dispozitë parashikon se kundër vendimit mund të bëhet apel ose rekurs i drejtpërdrejtë në Gjykatën e Lartë. Përmes këtyre ndryshimeve, synohet qartësimi i kompetencës funksionale të gjykatës që ka të drejtën e shqyrtimit të ankimit, duke parashikuar ushtrimin e ankimit në gjykatën e apelit.
- Është parashikuar shqyrtimi i ankimit ndaj vendimit të mosfillimit të procedimit (neni 291 i Kodit.Prc.Penale) në dhomë këshillimi dhe jo më në seancë gjyqësore, duke shqyrtuar aktet që përmban fashikulli i vendimit të mosfillimit të procedimit.
Ankimi shqyrtohet nga gjyqtari që gjykon kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në dhomë këshillimi, brenda 30 ditëve nga depozitimi në sekretarinë e gjykatës të kopjes së akteve që përmban fashikulli i vendimit të mosfillimit të procedimit. Prokurori, jo më vonë se 15 ditë nga paraqitja e ankimit, i dërgon gjykatës një kopje të akteve që përmban fashikulli i vendimit të mosfillimit si dhe ka të drejtë të paraqesë parashtrime me shkrim lidhur me bazueshmërinë e ankimit. Vendimi i gjykates per pranimin ose rrezimin e kerkeses per sigurimin e proves merret ne dhome keshillimi. Po keshtu, edhe ne rast ankimi te ketij vendimi, gjykata e apelit e shqyrton ankesen ne dhome keshillimi.
- Disponimi mbi kërkesën për sigurimin e provës
Në nenin 320 janë bërë ndryshime ne paragrafin 1 ku përcaktohet se gjykata merr vendim në dhomë këshillimi brenda dy ditëve nga ardhja e përgjigjes për marrjen e njoftimit për kërkesën për sigurimin e provës, me të cilin pranon ose rrëzon kërkesën për sigurimin e provës. Gjykata e apelit e shqyrton ankesën në dhomë këshillimi brenda 10 ditëve nga dorëzimi i akteve në këtë gjykatë.
- Zgjatja e afatit të hetimeve
Në nenin 324 është parashikuar në mënyrë eksplicite se vendimi për zgjatjen e afatit të hetimeve jepet i arsyetuar, në ndryshim nga parashikimi ligjor i mëparshëm ku vendimi për zgjatjen e afatit të hetimeve nuk jepej detyrimisht i arsyetuar.
- Ankimi për zgjatjen e afatit të hetimeve
Në nenin 325 ndryshime janë kryer edhe në drejtim të njoftimit të ankimit për zgjatjen e afatit të ankimeve, sanksionimit të mundësisë së prokurorit, viktimës ose të pandehurit për të paraqitur parashtrime me shkrim lidhur me bazueshmërinë e ankimit, të depozitojnë prova në mbështetje të tyre, si dhe shqyrtimit të ankimit ndaj vendimit të gjykatës. Pika 2 ndryshon si më poshtë: “Ankimi shqyrtohet nga gjyqtari që gjykon kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në dhomë këshillimi brenda 10 ditëve nga depozitimi i ankimit në sekretarinë e gjykatës”. Në pikën 4 pas fjalisë së parë shtohet fjalia me këtë përmbajtje: “Gjykata e apelit shqyrton ankimin në dhomë këshillimi brenda 10 ditëve nga depozitimi i ankimit në sekretarinë e gjykatës”.
-
- Ndryshime janë kryer edhe në lidhje me vendimin e gjyqtarit të seancës paraprake, i cili sipas parashikimit në fuqi, vendos dërgimin e çështjes në gjykatën kompetente, kur palët paraqesin marrëveshje mbi kushtet e pranimit të fajësisë dhe caktimin e dënimit. Me ndryshimet e kryera, gjyqtari nuk do të vendosë më dërgimin e dosjes në gjykatën kompetente, kur palët paraqesin marrëveshje mbi kushtet e pranimit të fajësisë dhe caktimin e dënimit, por vijimin e gjykimit nga e njëjta gjykatë. Po kështu, ku palët kërkojnë gjykimin e shkurtuar, i fton të paraqesin diskutimet përfundimtare pasi kryen verifikimin mbi gjendjen e akteve, sipas parashikimeve të nenit 332/c të këtij Kodi. Palët kanë të drejtë të kërkojnë një afat për t’u përgatitur, jo më të gjatë se 15 ditë.
-
- Njoftimi i vendimit
Rregullim ka pësuar edhe procedura e njoftimit të vendimit përfundimtar të gjykatës, duke sanksionuar njoftimin e këtij vendimi të gjithë palëve në procesin gjyqësor, dhe jo vetëm atyre që nuk kanë qenë të pranishëm në shpalljen e tij. Është shfuqizuar neni 384, pika 3 e Kodit që parashikon se, shpallja e vendimit, sipas kësaj dispozite, vlen si njoftim për palët që janë të pranishme në seancë.
-
- Shqyrtimi i çështjes në apel parashikuar nga neni 426.
Me ndryshimet e këtij ligji Gjyqtari relator i çështjes në gjykatën e apelit caktohet me short. Gjyqtari relator cakton datën dhe orën e gjykimit në përputhje me kalendarin e shqyrtimit të çështjeve, duke marrë për bazë radhën sipas kohës së ardhjes së dosjes në gjykatën e apelit. Kanë përparësi në shqyrtim çështjet në lidhje me ekstradimet për jashtë shtetit, çështjet në të cilat i pandehuri është i paraburgosur dhe çështjet për të cilat Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë. Gjyqtari relator i çështjes urdhëron thirrjen e të pandehurit, paditësit civil dhe të paditurit civil, si dhe të mbrojtësve e të përfaqësuesve të tyre. Afati i paraqitjes nuk mund të jetë më i vogël se dhjetë ditë. Urdhri i thirrjes është i pavlefshëm kur i pandehuri nuk është identifikuar në mënyrë të sigurt ose kur nuk janë saktësuar vendi, dita dhe ora e paraqitjes”.
-
- Në harmoni me këtë parashikim, edhe përllogaritja e afatit për ushtrimin e së drejtës së ankimit ka ndryshuar, duke filluar për të gjitha palët nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit gjyqësor. Konkretisht, në pikën 1, fjalia e dytë e nenit 415 të Kodit, togfjalëshi “shpalljes ose” shfuqizohet.
- Paraqitja e Rekursit
Ndryshimet në nenin 435, paragrafi 1 të Kodit. Sipas këtyre amendimeve, rekursi paraqitet me shkrim, brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të gjykatës së apelit. Afati për paraqitjen e rekursit kundër një vendimi të gjykatës së apelit me të cilin është vendosur prishja e vendimit dhe kthimi i akteve gjykatës së shkallës së parë, është 20 ditë. Rekursi shqyrtohet nga Gjykata e Lartë jo më vonë se dy muaj nga momenti i regjistrimit të tij në sekretarinë gjyqësore.
- Gjykimi në apel në dhomë këshillimi Pas nenit 427 shtohet neni 427/a.
Kur Kodi parashikon gjykimin në apel në dhomë këshillimi, gjykimi bëhet mbi bazë aktesh dhe/ose dokumentesh. Gjyqtari relator urdhëron njoftimin e palëve, sipas nenit 426, të këtij Kodi. Palët kanë të drejtë që deri 5 ditë para seancës së shqyrtimit të çështjes, në dhomë këshillimi, të paraqesin parashtrime me shkrim lidhur me shkaqet e ngritura në apel dhe apelin kundërshtues. Për çështjen që shqyrtohet me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, relatori përgatit paraprakisht dhe u shpërndan anëtarëve një relacion të përmbledhur të dosjes gjyqësore dhe shkaqeve të ngritura në ankim. Shqyrtimi i çështjes në dhomë këshillimi vijon nëse njoftimet e palëve janë të rregullta.
- Kufijtë e shqyrtimit në Gjykatën e Lartë
Në nenin 434 pas pikës 2 shtohet pika 3. Kur Gjykata e Lartë vë në diskutim çështje të ligjit, për të cilat palët nuk kanë paraqitur më parë mendimin e tyre, përpara shqyrtimit urdhërohet njoftimi i palëve dhe caktohet afati për depozitimin e parashtresave të tyre mbi çështjet e ligjit. Njoftimi në këto raste kryhet sipas rregullave të përgjithshme. Ky parashikim i jep mundësi palëve që të debatojnë dhe të mbrohen para se të gjykohen në mënyrë që të mos vihen para efektit surprizë të vendimit përfundimtar apo jopërfundimtar.
- Përmbajtja e Rekursit
Janë vendosur rregulla mbi përmbajtjen e rekursit, duke krijuar qartësi për palët për elementët që duhet të përmbajë:
-
- Palët ndërgjygjëse;
- Vendimin që kundërshtohet;
- Paraqitjen e përmbledhur të fakteve të cështjes;
- Shkaqet për të cilat kërkohet prishja e vendimit si dhe argumentat ku mbështeten;
- Prokurën e avokatit në rast se rekursi paraqitet nga i pandehuri ose palët private.
- Caktimi i datës për shqyrtimin e rekursit vendoset nga relatori përkatës
Sa i takon veprimeve paraprake që kryhen para shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Lartë, është parashikuar se gjyqtari relator i caktuar me short vendos datën dhe orën për shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi në përputhje me rregullat e planifikimit të gjykimit të parashikuara në ligj. Pra, caktimi i datës për shqyrtimin e rekursit nuk vendoset nga kryetari i Kolegjit, por nga relatori përkatës. (Neni 436 pika 2)
- Shqyrtimi i çështjes në Gjykatën e Lartë
Është shtuar një dispozitë e re. Neni 436/a që përcakton se shqyrtimi i rekursit në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, si rregull bëhet mbi bazë dokumentesh në dhomë këshillimi.
Gjyqtari relator paraqet relacionin duke pasqyruar në të, veç të tjerave, edhe përmbajtjen e vendimit të ankimuar, pretendimet dhe shkaqet e ngritura në rekurs, prapësimet e paraqitura në kundërrekurs, shqyrtimin e fakteve që kanë rëndësi për marrjen e vendimit dhe propozimin e tij për zgjidhjen ligjore të çështjes.
Për shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi mbahet procesverbal nga sekretari gjyqësor.
- Shqyrtimi gjyqësor
Shtesa të rëndësishme janë bërë edhe në nenin 437 në drejtim të përcaktimit të rasteve se kur Gjykata e Lartë vendos kalimin e çështjes në seancë gjyqësore, të cilat konsistojnë si vijon:
-
- çështja paraqet rëndësi nga pikëpamja e së drejtës, për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore;
- vlerësohet e nevojshme nga Kolegji Penal thirrja dhe dëgjimi i palëve për shkak të problematikës ose kompleksitetit të çështjes, në rastet e përcaktuar në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të nenit 432, të këtij Kodi.
Në vijim të sa më sipër, kur Gjykata e Lartë çmon se ndodhet përballë rasteve të mësipërme, vendos kalimin e çështjes në seancë gjyqësore. Në të kundërt, vijon gjykimin e çështjes në dhomë këshillimi.
- Është shtuar një dispozitë e re e cila rregullon Kundërrekursin.
Neni 435/a parashikon se pala kundër së cilës është paraqitur rekurs mund ta kundërshtojë atë me kundërrekurs brenda 20 ditëve nga dita kur ka marrë njoftimin për rekursin e palës tjetër. Në rastin kur rekursi është paraqitur kundër një vendimi të gjykatës së apelit me të cilin është vendosur prishja e vendimit dhe kthimi i akteve gjykatës së shkallës së parë, afati për paraqitjen e kundërrekursit është 10 ditë.
- Njësimi dhe ndryshimi i praktikës gjyqësore nga Gjykata e Lartë
Gjithashtu, janë kryer rregullimet ligjore në nenin 438, në lidhje me gjykimin për ndryshimin e praktikës gjyqësore, duke parashikuar tashmë edhe njësimin e praktikës gjyqësore nga Gjykata e Lartë, përveç ndryshimit të praktikës gjyqësore, si dhe duke synuar që të qartësohet se autoriteteti që mund të iniciojë gjykimin për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore është Kolegji Penal dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë. Po kështu, është synuar të përcaktohet qartë përbërja e trupës gjyqësore që shqyrton njësimin dhe ndryshimin e praktikës gjyqësore dhe ta dallojë njëkohësisht nga përbërja e trupës gjyqësore që gjykon rekurset, e cila në dhomë këshillimi dhe në seance gjyqësore përbëhet nga tre gjyqtarë.
Risi paraqitet edhe parashikimi që për shkak të interesit që paraqet njësimi ose ndryshimi i praktikës gjyqësore, në këto gjykime, kur është rasti, Gjykata e Lartë mund të kërkojë mendimin me shkrim nga Avokatura e Shtetit, si dhe nga persona juridikë publikë ose privatë që çmohet se kanë njohuri të posaçme mbi çështjet ligjore të shtruara për njësim ose ndryshim të praktikës gjyqësore. Gjykata e Lartë, në kërkesën për paraqitjen e mendimit me shkrim cakton një afat brenda të cilit mund të paraqitet mendimi, i cili në çdo rast nuk mund të jetë më i vogël se 14 ditë. Mendimet me shkrim nuk janë detyruese dhe publikohen në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë. Kjo ndërhyrje është kryer duke parë funksionin strategjik dhe të përshtatshëm që Avokatura e Shtetit ka si institucion shtetëror publik.
Kur Kolegji Penal ose Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosin njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, në vendim gjykata formulon edhe rregullin e së drejtës për çdo çështje të shtruar për zgjidhje në vendimin e ndërmjetëm të marrë gjatë gjykimit të çështjes. Në këtë rast, vendimi botohet në Fletoren Zyrtare.
- Procedimet Paragjykimore
Në nenin 438/a sanksionohen procedimet paragjykimore në Gjykatën e Lartë, duke parashikuar se nëse Kolegji Penal ose Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, gjatë shqyrtimit të çështjes, në dhomë këshillimi ose në seancë gjyqësore, vendosin t’i drejtohen Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut ose gjykatave të tjera ndërkombëtare, sipas detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, vendosin pezullimin e shqyrtimit të çështjes. Vendimi i pezullimit zgjat deri në marrjen e vendimit nga gjykata ndërkombëtare.
- Vendimet e Gjykatës së Lartë
Së fundmi, paraqiten ndryshime të rëndësishme në nenin 441 të Kodit, ku parashikohen llojet e vendimeve të Gjykatës së Lartë, duke parashikuar si risi:
-
- vendimmarrjen jopërfundimtare të mospranimit të rekursit në seancë gjyqësore, në rastet kur është bërë për shkaqe të ndryshme nga ato që parashikon neni 432 i këtij Kodi.
- Një tjetër risi në vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë është edhe vendimi për ndryshimin e vendimit të shkallës së parë dhe të vendimit të gjykatës së apelit dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes kur zbatimi i ligjit procedural apo material nuk diktohet nga nevoja për rishqyrtimin dhe rivlerësimin e fakteve apo të provave të çështjes.
- prishjen e vendimeve të gjykatës së apelit dhe të gjykatës së shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë kur nuk janë respektuar dispozitat që lidhen me kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete, me numrin e gjyqtarëve që është i domosdoshëm për formimin e kolegjeve të caktuara në këtë Kod, me ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori dhe pjesëmarrjen e tij në procedim, me pjesëmarrjen e të pandehurit, të mbrojtësit të tij, ose përfaqësuesit të viktimës akuzuese, me shkeljen e dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja, si dhe në çdo rast kur në dispozita të veçanta është parashikuar pavlefshmëria e vendimit;
- prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues;
-
- Shfuqizohet shkronja “c” e nenit 491. Kur personi qe kerkohet për tu ekstraduar ka kryer nje vepër penale në Shqipëri, nuk është më shkak për mospranimin e ekstradimit.
- Së fundmi, ligji rregullon edhe periudhën tranzitore, duke përcaktuar se përbërja e trupave gjykues si dhe procedura e gjykimit në Gjykatën e Lartë rregullohet sipas përcaktimeve të këtij ligji. Lidhur me rekurset që janë paraqitur në gjykatë, por ende nuk janë shqyrtuar, do të konsiderohen të pranueshëm nëse plotësojnë kushtet e ligjit në kohën e depozitimit të tyre.
- Çështjet që janë në kompetencën e Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimit të nenit 75/a përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, dhe që janë regjistruar përpara datës 1 qershor 2021 hetohen dhe gjykohen nga Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatat kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pavarësisht ndryshimit të kompetencës lëndore, sipas nenit 7 të këtij ligji.