Ligji Nr. 50/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Ligji nr. 50/2021 është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 71, datë 14.05.2021, dhe hyn në fuqi në datën 30.05.2021.
Ligji ka për qëllim të zgjidhë një sërë problematikash që janë evidentuar gjatë zbatimit në praktikë të këtij ligji dhe gjatë implementimit të procesit të reformës në drejtësi. Problematikat e evidentuara lidhen me nevojat për ndërhyrje përmes ndryshimeve në ligjin nr. 96/2016 të cilat paraqiten si më poshtë:
- Trajtimi financiar në skemën e delegimit
Ligji parashikon disa shtesa dhe ndryshime që lidhen me masën e kompensimit për shërbimin në skemën e delegimit, për transferimin e përkohshëm dhe për caktim të përkohshëm. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve synohet që të nxiten magjistratët për të qenë pjesë e skemës së delegimit, me qëllim që të plotësohen vakancat që krijohen në gjykata ose prokurori.
- Magjistratët në skemën e delegimit.
Ndryshime pëson edhe neni 45 mbi skemën e delegimit duke prezantuar edhe mundësinë e caktimit të magjistratit për hetimin ose gjykimin e një ose disa çështjeve të veçanta në një gjykatë ose prokurori, për të cilën magjistrati përmbush kërkesat. Në rastet kur caktohet për hetimin ose gjykimin e një ose disa çështjeve të veçanta në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ose Prokurorinë e Posaçme, magjistrati duhet të përmbushë kriteret, si dhe të japë pëlqimin sipas nenit 47 të këtij ligji. Delegimi për një çështje të veçantë kryhet kur gjyqtarët ose prokurorët e një gjykate ose prokurorie janë ligjërisht të padisponueshëm për gjykimin ose hetimin e një apo disa çështjeve.
Shtesa për vështirësi dhe për shkak të heqjes dorë nga privatësia për prokurorët e Prokurorisë së Posacme dhe gjyqtarët e Gjykatave të Posaçme.
Për prokurorët e SPAK si dhe gjyqtarët e Gjykatave të Posaçme është parashikuar shtesa për vështirësi (që më parë ishte në masën 60 përqind të pagës fillestare bruto) dhe shtesa për heqjen dorë nga privatësia (e cila nuk ishte parashikuar si shtesë më parë), në masën 80 përqind të pagës fillestare bruto.
- Rregullimi i skemës së pensionit të parakohshëm
Në vazhdën e garancive që i ofrohen magjistratëve, është parashikuar edhe e drejta për pension të parakohshëm përmes shtimit të pikës 1/1 në nenin 27, duke e përcaktuar atë si e drejtë e cila gëzohet edhe kur Këshilli vendos mbarimin e statusit të magjistratit për shkak të pamundësisë fizike dhe mendore sipas parashikimeve të ligjit. Gjithashtu, në pikën 1/2 është përcaktuar se pensioni i parakohshëm është një pension pleqërie i reduktuar dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit, deri në plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit të plotë të pleqërisë, si dhe mënyra e llogaritjes së tij.
- Qartësimi i kritereve për rekrutimin e magjistratëve
Ndryshime të rëndësishme janë kryer edhe në qartësimin e kritereve për rekrutimin e kandidatëve për magjistratë. Në këtë kuptim, është rregulluar që 3 vite eksperiencë pune konsiderohet vetëm pas përfundimit të programit të plotë të studimeve. Gjithashtu, nëpërmjet këtij ndryshimi unifikohet edhe terminologjia e parashikuar në ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”. Ligji parashikon si kritere ndaluese:
(a) dënimin me vendim penal të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale që, për shkak të natyrës së veprës së kryer, diskrediton pozitën dhe figurën e gjyqtarit ose prokurorit, ose dëmton rëndë besimin e publikut në sistemin gjyqësor, pavarësisht nëse është rehabilituar sipas parashikimeve të Kodit Penal dhe
(b) largimin nga detyra ose heqjen e licencës, autorizimit ose lejes për ushtrimin e një profesioni për shkaqe disiplinore, pavarësisht nëse masa disiplinore konsiderohet e shuar, si dhe pasja e masave disiplinore në fuqi.
- Rregullat mbi përfundimin e statusit dhe zgjatja e tij
Me qëllim sigurimin e vazhdimësisë në funksion deri në momentin e zëvendësimit të magjistratëve, për të garantuar ushtrimin e funksionit për një periudhë më të gjatë, si dhe në mënyrë që të sigurohet eficenca dhe efektiviteti i gjykatave dhe prokurorive, janë bërë ndryshime në nenin 64 që lidhen me moshën e pensionit duke përcaktuar se magjistrati del në pension në moshën 67 vjeç por, me kërkesën e tij, mund të qëndrojë në detyrë deri në moshën 70 vjeç.
- Verifikimi i pastërtisë së figurës
Janë bërë ndryshime të rëndësishme përsa i përket verifikimit të pastërtisë së figurës së magjistratëve duke mirëpërcaktuar rastet kur kandidati nuk kalon procesin e verifikimit të pasurisë dhe figurës, vlerësimin e dokumentacionit të përcjellë nga organet raportuese për efekt të procesit të vlerësimit nga ana e Këshillave. Tashmë Këshillat (KLGJ, KLP) duhet të çmojnë faktet në bazë të një vlerësimi në mënyrë të hollësishme të raporteve dhe informacioneve shtesë të paraqitura nga institucionet kompetente dhe të zhvillojnë një hetim administrativ sipas parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative.
I gjithë ky proces synon që të rrisë efektivitetin dhe rezultatet e procesit të verifikimit që kryejnë Këshillat duke mos u mjaftuar vetëm në vlerësimin e raporteve të institucioneve kompetente por duke thelluar analizën e tyre mbi faktet e prezantuara.
Në kuadër të këtij procesi janë garantuar dhe të drejtat e kandidatëve për t’u njohur me dosjen e tyre dhe ankimin pranë gjykatës kompetente ndaj vendimit të Këshillave brenda 5 ditëve.
- Emërimi i kandidatit magjistrat të diplomuar
Është shfuqizuar pika 3 e nenit 35 të ligjit sipas së cilës parashikohej se kandidatët për magjistratë duhet të kërkonin emërimin si magjistrat nëpërmjet një kërkese me shkrim drejtuar këshillit duke përcaktuar edhe renditjen preferenciale. Nga ana tjetër është rregulluar emërimi i magjistratit në vitin pasardhës i cili megjithëse si i diplomuar përmbush kriteret për tu emëruar si magjistrat, për shkaqe të justifikuara mund të kërkojë që të emërohet si magjistrat në vitin pasardhës. Në vijim Këshillat mund të vendosin:
a) të emërojnë magjistrat çdo person që është në listën e të diplomuarve, i cili përmbush kriteret e emërimit, ose refuzojnë të emërojnë magjistrat çdo person që është në listën e të diplomuarve, por që nuk përmbush kriteret e emërimit;
b) lejojnë kandidatin që përmbush kriteret e emërimit për t’u emëruar në vitin pasardhës, pas paraqitjes së kërkesës sipas pikës 2 të këtij neni.
- Riemërimi magjistrat i ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve
Ligji i ri ndryshon procedurën dhe kriteret e riemërimit si magjistrat të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve, të cilët mund të kandidojnë për t’u riemëruar, por vetëm në rastet kur Këshillat (KLGJ dhe KLP) konstatojnë se numri i vendeve të lira është më i madh se numri i të diplomuarve që përmbushin kriteret. Në këtë rast ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët kanë mundësi të riemërohen nëse kanë ushtruar funksionin e magjistratit të paktën 5 vjet në 15 vitet e fundit, në ndryshim me kriteret që janë në fuqi sot, sipas së cilave kushti është që të jenë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës dhe të kenë ushtruar funksionin e magjistratit të paktën 5 vjet në 15 vitet e fundit.
- Proçedura e lëvizjes paralele
Ndryshime janë parashikuar edhe në proçedurën e lëvizjes paralele (nen 43) ku shkronja “b” e pikës 2 shfuqizohet dhe në pikën 5 përcaktohen rregullat mbi renditjen e preferencave. Gjithashtu në pikën 7, shkronja “a”, nënparagrafi “i” janë parashikuar ndryshime për ti dhënë përparësi përvojës në pozicionet e komanduara, si magjistrat në skemën e delegimit që i ka mbaruar afati i caktimit ose delegimit, si anëtar i Këshillit që i ka mbaruar mandati tre vjet përpara kandidimit, si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, si anëtar i Kolegjit Zgjedhor që i ka mbaruar mandati ose çdo pozicion tjetër që ligji e përcakton si vlerë të shtuar, në mënyrë që të garantohet një vlerësim dhe shpërblim i drejtë i këtyre përvojave.
- Komandimi i magjistratëve në organizatat ndërkombëtare
Një cështje që ka gjetur rregullim nëpërmjet këtyre ndryshimeve është edhe komandimi i magjistratëve në organizatat ndërkombëtare. Për këtë qëllim, janë parashikuar ndryshime në nenin 53 të ligjit, përmjet të cilit parashikohet që magjistrati që komandohet në një organizatë ndërkombëtare, me qëllim përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në atë organizatë, gëzon të njëjtin status me diplomatët, sipas parashikimeve të ligjit në fuqi për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë.
- Rregullime me karakter të përkohshëm
Ligji ka sanksionuar shtimin e dy neneve me karakter tranzitor që lidhet me caktimin e magjistratëve në çështje të veçanta dhe caktimin e përkohshëm në pozicione të lira të përkohshme.
- Caktimi i magjistratëve për çështje të veçanta
Në rastin kur në skemën e delegimit nuk ka magjistrat të disponueshëm dhe transferimi i përkohshëm i magjistratëve është i padobishëm për mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor, Këshillat mund të caktojnë një magjistrat për gjykimin ose hetimin e çështjeve të veçanta në një gjykatë ose prokurori të ndryshme nga ajo ku ai ushtron funksionin në mënyrë të përhershme në rastet e mëposhtme:
a) kur nuk ka një numër të mjaftueshëm gjyqtarësh ose prokurorësh në një gjykatë ose prokurori; ose
b) kur gjyqtarët ose prokurorët e një gjykate ose prokurorie janë ligjërisht të padisponueshëm për gjykimin ose hetimin e një apo disa çështjeve.
Këshillat nuk mund të caktojnë magjistratë për çështje të veçanta sipas këtij neni, pas përfundimit të afatit të caktuar për përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të magjistratëve.
- Caktimi i përkohshëm në pozicione të lira të përkohshme
Kur numri i të emëruarve të sapodiplomuar është më i madh se vendet e lira të shpalluara për ata, të emëruarit që nuk janë caktuar në një pozicion të lirë të përhershëm për magjistrat caktohen përkohësisht në një pozicion të lirë të përkohshëm.
Në rastet e caktimit të përkohshëm në një pozicion magjistrati:
a) Këshillat i ofrojnë të emëruarit mundësinë e zgjedhjes për të paktën dy pozicione, sipas radhës së renditjes së tyre në listën e të diplomuarve;
b) i emëruari i caktuar përkohësisht në një pozicion magjistrati duhet të marrë pjesë në procedurën e radhës së lëvizjes paralele në shkallën e parë, me qëllim që të caktohet sa më shpejt në një pozicion të lirë të përhershëm.
Këshillat nuk mund të caktojnë magjistratë përkohësisht në pozicione të lira të përkohshme, sipas këtij neni, pas përfundimit të afatit të caktuar për përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të magjistratëve.
- Këto dy masa kanë karakter të përkohshëm dhe do të zbatohen deri në përmbylljen e procesit të vetingut i cili dikton edhe nevojën për përfshirjen e tyre.