Ligji Nr. 47/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Ligji nr. 47/2021 është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 71, datë 14.05.2021, dhe hyn në fuqi në datën 30.05.2021.
Ligji ka për qëllim përcaktimin e pagës dhe përfitimeve të tjera financiare në mënyrë që të garantohet një sistem për shpërblimin e punonjësve të këtyre strukturave që garanton një sistem hetimi të pavaruar ndaj çdo influence politike, të paanshëm, të përgjegjshëm, të drejtë e profesional e të besueshëm. Përmes ndryshimeve të bëra është plotësuar boshllëku ligjor në lidhje me pagën dhe përfitimet e tjera që duhet të ketë personeli i BKH-së, në këtë mënyrë tentohet të garantohet një trajtim financiar dinjitoz i cili i përshtatet natyrës së punës dhe përgjegjësive të personelit të SPAK-ut.
Ndryshimet e konstatuara paraqiten si më poshtë:
- Kompetenca lëndore parësore
Në nenin 8 pika 1 e ligjit shfuqizohet togfjalëshi “ por nuk mund të tejkalojë kompetencën e përcaktuar nga neni 135, pika 2, të Kushtetutës”. Ky shfuqizim është bërë për shkak se në kompetencën lëndore të SPAK, janë shtuar edhe veprat penale që lidhen me terrorizmin, dhe në këtë mënyrë, kompetenca e SPAK është zgjeruar duke përfshirë më shumë vpera penale, se ato që ka parashikuar Kushtetuta.
- Statusi, Sektori i Ekspertizës
Në nenin 20/1 parashikohet qartësimi i statusit, si oficerë të policisë gjyqësore, të punonjësve të sektorit të hetimit financiar (specialistë të bërthamës komanduese elektronike)., të cilët kanë të njëjtin status me oficerët e policisë gjyqësore të BKH dhe i garantohet i njëjti trajtim financiar.
- Parashikimet mbi pagat
Në vazhdën e garancive që i ofrohen punonjësve të mësipërm, është parashikuar edhe saktësimi mbi pagën e drejtorit, zëvendësdrejtorit, hetuesit si dhe të oficerit të policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit në masat përkatëse të pagës bazë, shtesës për vjetërsi, shtesës për vështirësi pune dhe për shkak të heqjes dorë nga privatësia.
- Trajtimi i punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit
Në nenin 40/1 është shtuar përcaktimi që lidhet me përfitimet e tjera të personelit të BKH-së, të cilët përfitojnë të njëjtin trajtim që përfitojnë punonjësit e Policisë së Shtetit, trajtim i cili përfshin të drejtën e pushimit vjetor dhe pushimeve të tjera të pagueshme.., të drejtën e përfitimit të kredisë me interesa të buta, kompensimin për strehim, sigurimin e jetës trajtimin e familjarëve të punonjësve që humbasin jetën për shkak të detyrës etj.
- Statusi i punonjësve të administratës së Byrosë Kombëtare të Hetimit
Në nenin 44 pika 2 e ligjit mbi statusin e punonjësve të shërbimit civil bëhet një shtesë në lidhje me statusin e punonjësve të administratës, sipas së cilit përvec punonjësve të administratës së Prokurorisë së Posaçme u nënshtrohen dispozitave përkatëse të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” edhe punonjësit e administratës së Byrosë Kombëtare të Hetimit.
- Shpërblimi për vështirësi në punë
Neni i shtuar 44/1 parashikon shpwrblimin për vështirësi pune edhe për shkak të heqjes dorë nga privatësia në masën 50% të pagës përkatëse që përfiton nëpunësi civil gjyqësor në gjykatat e posaçme për veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëpunësi civil në prokurorinë e posaçme dhe në Byronë Kombëtare të Hetimit, përfshirë këtu edhe punonjësit te tjerë që duhet të plotësojnë kushtet e sigurisë para caktimit në detyrë ose emërimit, sipas nenit 6 të këtij ligji.
- Dispozitë kalimtare
Ligji përmban një dispozitë kalimtare që parashikon se drejtori, zëvendësdrejtori, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, oficerët nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, punonjësit e sektorit të hetimit financiar, si dhe punonjësit e bërthamës komanduese elektronike përfitojnë pagën, sipas përcaktimeve të këtij ligji, nga data e emërimit të tyre në detyrë.