Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 142, datë 10.03.2021 Për përcaktimin e kritereve për përfituesit nga programi për zhvillimin e zonës, me qëllim strehimin, mënyrën e sigurimit të strehimit të tyre, formën e kalimit të pronësisë për kuota të përcaktuara për banesa sociale nga ndërtuesit ose pronarët, për strehimin e përfituesve që janë zhvendosur prej tyre”.

VKM Nr. 142, datë 10.03.2021 është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 43, datë 18.03.2021, dhe ka hyrë në fuqi menjëherë.

Vendimi i mësipërm ka si qëllim përcaktimin e:

  1. kritereve për përfituesit e programit për zhvillimin e zonës, me qëllim strehimin;
  2. mënyrës së sigurimit të strehimit të përfituesve gjatë periudhës së ndërtimit të banesave sociale;
  3. formës së kalimit të pronësisë për kuotat e banimit të përcaktuara për banesat sociale ose pronarët, me qëllim strehimin e përfituesve që janë zhvendosur prej tyre.

Ky vendim ka përcaktuar rastet kur bëhet zhvillimi i një zone me qëllim strehimin duke i dhënë mundësi Njësive të Qeverisjes Vendore si pronare e truallit por edhe pronarëve privatë të lidhin marrëveshje bashkëpunimi me investitorë privatë, me qëllim ndërtimin e banesave sociale.