Udhëzimi nr. 1 datë 26.05.2022 i Këshilit të Ministrave për heqjen dorë ka të bëjë jo vetëm me  administratën shtetërore, por edhe me shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, aty ku shteti ka mbi 50 përqind të aksioneve, apo të kuotave. Përgjithësisht rekurset nga duhet hequr dorë kanë të bëjnë me: 

  • zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës; 
  • me njohjen, apo vërtetimin e vjetërsisë në punë; 
  • paditë me shpërblim për dëmet pasurore apo jopasurore, kontraktore ose jashtëkontraktore ndaj personave fizikë e juridikë, privatë, vendas e të huaj.

Po ashtu udhëzohen të heqin dorë edhe nga paditë e tjera, ku pavarësisht kërkimeve shteti e ka humbur në të dy shkallët e gjykimit çështjen. 

Një grup tjetër janë paditë që pavarësisht kërkimeve kanë ngelur pa objekt, apo paditë e tjera ku pavarësisht kërkimeve, nuk garantohet sukses në Gjykatën e Lartë për shkak të qëndrimeve unifikuese që kanë mbajtur kolegjet e gjykatës së lartë në të kaluarën. 

Do të hiqet dorë edhe nga çështjet me natyrë administrative që kanë të bëjnë me ndryshim, shfuqizim, apo konstatim të pavlefshmërisë absolute të akteve administrative, apo kur detyrohet organi administrativ për të nxjerrë aktet. 

Kushti i vetëm për heqjen dorë nga rekurset, ka të bëjë me vlerën e disponimit të gjykatës. Në çdo rast vlera e disponimit të gjykatës nuk duhet të jetë më tepër se sa 40 fishi i pagës minimale.

Heqja dorë nga rekursi bëhet me shkrim, sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin procedural civil dhe administrativ, pasi organi administrativ ta ketë arsyetuar atë në bazë të një prej rasteve të parashikuara në dispozitat e udhëzimit.

Për më shumë klikoni linkun: udhezim-2022-05-26-1