Ligji Nr. 22/2021 “Për miratimin e shtesës së Kontratës “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike” ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve”.
Ligji nr. 22/2021 është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 37, datë 11.03.2021, dhe hyn në fuqi në datën 27 Mars 2021.
Në bazë të ligjit të mësipërm është bërë një shtesë e Kontratës së Koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike”, me qëllim përmirësimin e procesit të aplikimit nëpërmjet Shërbimeve Digjitale të Verifikimit të Identitetit e-Aleat, dhe lëshimin pa afat të kartës së identitetit për shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç.
Duke qënë se Parlamenti shqiptar ka miratuar ligjin nr. 89/2020, datë 9.7.2020, “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, i ndryshuar, i cili parashikon se karta e identitetit lëshohet pa afat për shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç, shteti shqiptar i ka kërkuar Shoqërisë Konçesionare të zbatojë ligjin e mësipërm.
Në këto kushte palët kanë rënë dakord të zbatojnë një zgjidhje që konsiston vetëm në një ndryshim vizual të vlefshmërisë së kartave të identitetit që do të lëshohen për shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç. Shtetasit që mbushin moshën 75 vjeç dhe që do të rinovojnë kartën e tyre të identitetit apo që do të aplikojnë për një kartë të re identiteti do të pajisen me një kartë identiteti që do të ketë një afat vlefshmërie prej 50 vjetësh, megjithëse E-Çertifikatat e vendosura në çipin e kartës së identitetit do të kenë një afat vlefshmërie prej 10 vjetësh dhe çdo e-Shërbim, që do të ofrohet është i kushtëzuar me vlefshmërinë prej 10 vjetësh.