0

Rreziqet e përçarjes së ortakërisë

Nga:
Avokat Isuf Shehu

Shpesh herë punonjësit ose ortakët nuk janë në gjendje që ti përgjigjen kërkesave dhe vizionit të shoqërisë dhe shkelin rregullat ose kryejnë veprime të kundra ligjshme. Kjo sjell largimin nga puna apo përjashtimin nga shoqëria. Pas largimit jo në pak raste, këta individë mund të veprojnë kundër interesave të shoqërisë, duke përhapur informacione konfidenciale, dezinformuar konsumatorin, klientët apo partnerët, ose duke kryer konkurrencë te drejtpërdrejtë bazuar në “know-how” të fituar gjatë punës apo pjesëmarrjes në shoqëri. Nxjerrja apo përdorimi i informacioneve konfidenciale është një rrezik në rritje në botën teknologjike. Informacione të cila konsiderohen si delikate dhe të rëndësishme ruhen në kushte të larta sigurie nga vetë shoqëritë, por kjo nuk do të thotë qe nuk mund të vidhen në rast sabotimi të brendshëm. Një rast i tillë është një vjedhje e pastër e pasurisë së shoqërisë dhe ndaj individëve që kanë kryer këtë vepër penale, edhe nëse kanë qenë punonjës apo ortakë të saj, duhet të nisë procedimi penal. Faktikisht krimi kibernetik po i përgjigjet më se miri zhvillimit teknologjik ndaj kërkohet që të miratohen ligje dhe praktika të reja në mbrojtje të informacionit konfidencial.

Vjedhja dhe Shpërndarja e Informacionit

Kompanitë posedojnë informacione të klientëve, por punonjësit dhe ortakët nuk mund ta shpërndajnë atë pa autorizim. Këto të dhëna janë pasuri e shoqërisë. Përhapja e tyre mund të cenojë interesat e shoqërisë dhe kjo i ngarkon me përgjegjësi civile personat që e kanë kryer. Asnjë nga mënyrat e vjedhjes nuk përjashtohet; ajo mund të kryhet nëpërmjet marrjes fizikisht të informacioneve dhe të dhënave, apo edhe nëpërmjet hakimit (ndërhyrjes ne sistemin kompjuterik) të shoqërisë.

Shpifja

Informacioni i vjedhur mund të përdoret për të përcjellë në mënyrë negative edhe të rremë imazhin e një shoqërie duke pasur impakt të drejtpërdrejtë në shitje dhe fitim. Prezantimi i informacioneve të fabrikuara ose të prezantuara si të vërteta, përbën një cënim të pastër të imazhit dhe reputacionit të shoqërisë. Që një deklaratë të konsiderohet si shpifje duhet që të jetë e gënjeshtërt dhe ti kundra-drejtohet shoqërisë ose interesave të saj. Nuk është e thënë që ortaku i përjashtuar apo punonjësi i larguar nga shoqëria të disponojë patjetër informacione, sekrete tregtare ose të dhëna konfidenciale. Mjafton përfshirja e tyre në shoqëri për të krijuar besueshmërinë tek partnerët, klientët dhe konsumatorët dhe për ti bindur ata se ajo çfarë ai përhap është e vërtetë duke krijuar një situatë konfuze në treg dhe midis partnerëve.

Reklamimi i rremë

Në shumë raste, sidomos kur imazhi i shoqërisë është i lidhur me ortakun e përjashtuar apo punonjësin e larguar, reklamimi apo marketingu i i mallrave, shërbimeve, markave dhe patentave sikur janë në pronësi apo në posedim prej tyre përbën një reklamim të rremë. Janë jo të pakta rastet kur ortakët apo punonjësit, pasi largohen nga shoqëria kontaktojnë klientët dhe partnerët e shoqërisë ku kanë qënë të përfshire, duke u prezantuar sikur janë pikërisht ata poseduesit apo titullarët e të drejtave të lartpërmendura. Ata shpesh nisin një fushatë reklamimi të gjerë,drejtuar konsumatorit duke dëmtuar haptazi shoqërinë. Kjo e fundit për të mbrojtur interesat e saja përveç se ti drejtohet gjykatës me padi për shpërblim dëmi; fitim të munguar dhe dëm të shkaktuar, shpifje dhe cënim të imazhit, duhet të nisë edhe një fushatë reklamimi për të vënë ne vend reputacionin dhe rivendosur komunikimin me klientët dhe konsumatorin.

Përdorimi i të dhënave të shoqërisë

Ortakët dhe punonjësit e larguar apo të përjashtuar mund të përdorin titullin apo të vazhdojnë të prezantohen tek të tretët sikur ende janë pjesë e shoqërisë, madje edhe të prezantohen si ortak apo punonjës të shoqërisë. Nuk përjashtohet edhe rasti që të krijojnë një biznes të ri me të dhëna krejt të ngjashme apo me të njëjtat karakteristika të shoqërisë që kanë qenë pjesë, të krijojnë një markë te ngjashme, të përdorin të njëjtën markë, e thënë ndryshe kopjim i plotë ose i pjesshëm i imazhit korporativ. Të gjitha këto veprime janë të kundërligjshme dhe në disa raste personat përgjegjës mund të ndiqen edhe penalisht për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.

Ndalimi i konkurrencës dhe abuzimit me detyrën

Shpesh, duke vepruar kundra ligjit, ortakët dhe punonjësit i lejojnë vetes që të ndihmojnë apo të bëhen pjesë e shoqërive të cilat janë konkurrente të shoqërisë ku ata disponojnë kuota apo punojnë. Në raste të tjera e trajtojnë pasurinë e shoqërisë si pasuri personale duke abuzuar me asetet dhe të drejtat që u janë deleguar apo disponojnë. Kjo është një situatë krejtësisht e papranueshme si moralisht por edhe e kundërligjshme, dhe për të të tilla veprime drejtuesit e shoqërisë kanë të drejtë të kryejnë pushimin e menjëhershëm të punonjësit dhe në rastin e ortakut asambleja e ortakëve ka të drejtë të kërkojë përjashtimin e tij.

Por çfarë duhet bërë!

Në fillimin e një pune të re, duhet që punonjësit e çdo shoqërie të nënshkruajnë një kontratë si edhe të njihen me manualin e punës dhe udhëzimet e shoqërisë. Këto udhëzime përfshijnë dispozita për detyrën e caktuar, politikat e shoqërisë si edhe çfarë konsiderohet kundër linjës së sjelljes, dhe interesave të saj. Sot shoqëritë po i kushtojnë një vëmendje të madhe shmangies së pasojave që vijnë nga vjedhja dhe shpërhapja e të dhënave, sekretit tregtar si dhe konkurrencës apo abuzimit me detyrën të ortakëve apo punonjësve.
Në kontratat që kërkohet të nënshkruajnë punonjësit, por edhe në marrëveshjet e partneritetit, parashikohen klauzola të posaçme për shmangien e konkurrencës, abuzimit me detyrën, shpërhapjen e informacionit konfidencial, sekretit tregtar dhe të eliminimit të ekspozimit të shoqërisë ndaj të tretëve. Në rast shkelje të këtyre klauzolave, punonjësit dhe ortakët, edhe nëse largohen nga shoqëria, janë te detyruar te paguajnë kushte penale, dhe penalitete të konsiderueshme përveç dëmshpërblimit. Krahas kësaj, punonjësve dhe ortakëve u kërkohet që të heqin dorë nga disa të drejta, siç është privatësia dhe e drejta për të mos punuar apo u përfshirë në kompani të të njëjtit sektor edhe pas largimit për një periudhë të caktuar. Gjithashtu që të mbrojnë të dhënat konfidenciale, shume kompani nuk lejojnë përdorimin e kompjutrave personalë në godinën e shoqërisë, përdorimin e flashdrive, cd hard-disk apo nxjerrjen e dokumentave, ndërsa ,të tjera lejojnë komunikimin vetëm nëpërmjet e–maileve me domainin e shoqërisë i cili është i kontrollueshëm nga administrata. Teknologjia e informacionit dhe komunikimit sot përbën një mjet shumë efikas në vjedhjen dhe shpërhapjen e informacionit. Për këtë arsye kompanitë , në kontratat e punës apo të partneritetit, kanë parashikuar edhe largimin e menjëhershëm të punonjësit nëse konstatohet vjedhje apo shpërhapje të informacionit.

Sot ka ardhur koha që bizneset shqiptare ti kushtojnë çështjeve të tilla një vëmendje të veçantë. Shoqëritë në çdo fazë të ekzistencës së tyre, gjatë rrjedhës normale apo në fazën e ristrukturimit, investimit apo transformimit duhet të kenë një plan masash dhe mjetesh ligjore për tu mbrojtur nga përçarja, në të kundërt e gjithë përpjekja do të jetë një vizion i humbur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *